Takim ndërfetar në Universitetin Bedër

Ditën e martë, më 10 nëntor 2015 është zhvilluar një takim miqësor midis përfaqësuesve te Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, drejtuesve të Departamentit të Shkencave Islame pranë Universitetit Bedër dhe drejtuesve të Akademisë Teologjike Ortodokse.

Në vizitën e zhvilluar në Universitetin Bedër merrnin pjesë Hirësi Emanueli dhe z. Vlash Plepi anëtarë të stafit pedagogjik të Akademisë.

Në këtë takim ata janë pritur nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ayhan Tekineş, drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Dr. Genti Kruja, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Dr. Atakan Derelioglu, zv/përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame z. Adil Kutlu, dhe z. VetonTulla lektor në Universitetin Bedër.

Gjatë takimit dhe bisedimeve në një nga ambientet e Universitetit Bedër, të dyja palët kanë folur rreth programit mësimorë, ku qëndruan edhe mbi rëndësinë dhe vlerat e shkëmbimit të stafit pedagogjik, kryesisht në lëndën e Historisë së Religjioneve.

Hirësi Emanueli, i ka dhuruar dekanit të Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ayhan Tekineş, botimet e Akademisë Teologjike, duke e njohur me literaturën e botuar kryesisht kohët e fundit.

Të dyja palët e kanë vlerësuar si mjaft të frytshëm këtë takim, duke e cilësuar si një ndër hapat e parë të kalimit nga dialogu teorik në atë praktik, pikërisht nëpërmjet takimit dhe njohjes sa më mirë të njëri-tjetrit.