Klubi studentor “Mesazhi i jetës” organizon seminarin "Kur librat flasin" VI

Departamenti i Shkencave Islame në bashkëpunim me klubin studentor “Mesazhi i Jetës” në kuadër të vazhdimit të ciklit të seminareve “Kur librat flasin”, zhvilluan ditën e sotme, takimin e gjashtë, ku kanë diskutuar rreth veprës “Tre elementët e strukturës së Fesë Islame” me të ftuar z. Xhemal Balla dhe Dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi.

Gjatë aktivitetit, nën moderimin e studentit Abdullah Bulku, Prof. Asoc. Dr. Rrahim Ombashi bëri një prezantim të veprës dhe me korpusin fetar, kulturor e shkencor që do mund të gjenim në këtë vepër.

Ndërkohë që i ftuari i këtij aktiviteti z. Xhemal Balla, bëri një analizë të përgjithshme të veprës si dhe foli më gjërë rreth tre elementeve të Fesë Islame, siç janë Islami, Imani dhe Ihsani. Ai foli edhe për shkaqet që e kishin shtyrë deri në realizimin e kësaj vepre dhe nevojën e shoqërisë sonë për një vepër të tillë. Libri është i ndërthurur me një pasuri argumentash sa nga burimet bazë të fesë (Kurani dhe Suneti), ashtu edhe nga shkenca dhe historia. Metoda me të cilën autori e prezantoi veprën është e atillë sa libri nuk është synuar vetëm në përmbushjen e nevojave të besimtarve myslimanë, por ai u drejtohet edhe atyre që duan ta studiojnë apo të njihen me argumentet e besimit Islam. Ndërkohë që Z. Balla ftoi të gjithë studentët e Departamentit të Shkencave Islame të shfrytëzojnë materialet e këtij libri por edhe të zgjerojnë hulumtimet e tyre drejt kërkimeve shkencore në të ardhmen.

Cikli i seminareve “Kur librat flasin” do të vazhdojë gjatë javëve në vijim me të ftuar të tjerë, të cilët do të analizojnë dhe bashkëbisedojnë me studentët për një sërë veprash të autorëve të ndryshëm.