Shkencat Islame, Bedër organizojnë Shkollë Verore në Vjenë

Departamenti i Shkencave Islame, Bedër në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës ka organizuar Shkollën Verore “Islami në Evropë” në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë. Në këtë shkollë merrnin pjesë studentë të viteve të dyta dhe të treta Bachelor në Shkenca Islame. Në vijim të kësaj shkolle, studentët ndoqën disa seminare dhe leksione të hapura në Universitetin e Vjenës nga pedagogë dhe lektorë të Teologjisë Islame të këtij universiteti.

Nën drejtimin e përgjegjësit të Departamentit të Shkencave Islame, Bedër, Dr. Genti Kruja grupi i studentëve është pritur fillimisht nga shefi i departamentit të Studimeve Teologjike Islame në Universitetin e Vjenës Prof. Dr. Ednan Aslan, institucioni i cili organizoi edhe mbarëvajtjen dhe akomodimin e studentëve gjatë qëndrimit në Vjenë.

Gjatë këtij qëndrimi studentët kanë zhvilluar gjithashtu edhe disa vizita të rëndësishme në institucione zyrtare austriake.

Me datë 9 korrik 2018 delegacioni i studentëve nga Universiteti Bedër ka vizituar Ministrinë Federale Austriake për Integrimin Europian dhe Punët e Jashtme, ku janë pritur nga znj. Aloisia Wörgetter, drejtuese e Departamentit të Dialogut Ndërkulturor, si dhe nga z. Martin Kienl, kreu i Departamentit për Integrimin në Ministrinë Federale Austriake për Integrimin Europian dhe Punët e Jashtme.

Studentët e shoqëruar nga Dr. Genti Kruja ndanë me të pranishmit kontributin e KU Bedër në fushën e dialogut ndërfetar dhe aktivitetet e shumta zhvilluar lidhur me të nga Departamenti i Shkencave Islame. Një nga këto ishte edhe konferenca ndërkombëtare në fushën e dialogut ndërfetar e realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Austrisë në Shqipëri në maj të këtij viti.

Gjatë këtij takimi, znj. Aloisia Wörgetter dhe z. Martin Kienl shprehën falënderimet dhe vlerësimet e tyre për këtë vizitë, si dhe folën për bashkëpunimet e mundshme në fushën e arsimit dhe dialogut ndërkulturor e ndërfetar.

Një vizitë tjetër e rëndësishme ishte edhe ajo e zhvilluar me dt. 10 korrik në zyrat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Vjenë, ku grupi u prit nga Dr. Gilberto Gerra dhe Mag. Karl Prummer.

Dr. Gerra bëri një përshkrim të punës dhe funksioneve të zyrave të OKB-së, veçanërisht të departamentit që ai drejton, atë të shëndetësisë dhe luftës kundër drogës. Ai u shpreh i impresionuar nga vizita e studentëve të KU Bedër dhe u tregua i gatshëm për bashkëpunime në kuadër të trajnimeve dhe praktikave profesionale të studentëve në zyrat e OKB-së.

Dr. Kruja gjithashtu, i njohu zyrtarët e OKB-së me misionin dhe vizionin e Universitetit Bedër, si dhe me kontributin e dhënë deri më tani në Shqipëri.

Këto takime dhe vizita erdhën si rezultat i mbështetjes dhe bashkëpunimit të KU Bedër me Ambasadën Austriake në Tiranë, e cila ofroi mbështetjen për realizimin e këtyre takimeve gjatë kësaj shkolle verore, e cila u zhvillua në ditët e para të presidencës austriake në BE.

Studentët e Shkencave Islame, Bedër gjatë këtij udhëtimi studimor në Vjenë të Austrisë kanë vizituar Qendrën Kulturore Shqiptare, si dhe Qendrën Islame të Vjenës dhe xhaminë e saj, ndërtuar në vitin 1979.

Grupi studentor i shoqëruar nga Dr. Genti Kruja dhe lektori z. Hysni Skura kanë vizituar gjithashtu bibliotekën shekullore të Universitetit të Vjenës, si dhe objekte të ndryshme historike në Vjenë.

Gjatë muajit korrik-gusht dhe më pas gusht-shtator po zhvillohet gjithashtu edhe një shkolle tjetër verore dhe trajnim për studentët e Shkencave Islame, Bedër në Universitetin el Ez’her në Kajro të Egjiptit. Vlen të theksohet se këto shkolla zhvillohen për herë të parë jashtë Shqipërisë, duke u bërë shkas për zhvillimin e edukimit në këtë departament në shumë dimensione.