Aplikoni për të qenë kandidatë fitues për çmimet Bedër Alumni Awards-2018

Aplikoni:


Zyra e të Diplomuarve në Kolegjin Universitar “Bedër”, organizon për të dytin vit radhazi “Bedër Alumni
Awards”. Aktiviteti zhvillohet më datë 8 maj 2018, në ambientetet e Kolegjit Universitar “Bedër”, duke
synuar të bashkojë të gjithë të diplomuarit ndër vite.

Një nga momentet më të rëndësishme është shpërndarja e disa çmimeve vlerësuese, traditë kjo e
aplikuar edhe vitin e kaluar, e cila synon të inkurajojë më tej studentët e diplomuar në karrierën
profesionale pasuniversitare.

Të gjithë të diplomuarit e institucionit tonë që dëshirojnë të aplikojnë për një nga çmimet fituese, duhet të
plotësojnë formularin e kandidimit, ose të nominohen nga të diplomuar të tjerë, nga studentë aktualë, si
dhe nga stafi akademik i institucionit.

Afati i fundit për dorëzimin e formularëve është data 24 prill 2018.

  • Komisioni i ngritur për të vlerësuar arritjet pasuniversitare të kandidatëve do të vendosë mbi fituesit e çmimeve të mëposhtme:
  1. Career Award
  2. Bedër Award
  3. Eagle Award
  4. Woman Empowerment Award
  5. H. Vehbi Dibra Award

 

Përshkrimi i çmimeve:

1. “Career” Award
Çmimi i Karrierës nderon një të diplomuar nga Kolegji Universitar “Bedër” që reflekton shembullin e një
profesionisti të shquar në fushën e tij ose në fusha të tjera duke u bërë burim frymëzimi për të diplomuarit
e tjerë, për studentët si dhe për komunitetin në tërësi. Kandidatët për këtë çmim duhet të kenë arritur
suksese të dukshme në profesion, të jenë punësuar në institucione të rëndësishme kombëtare dhe
ndërkombëtare, të jenë bërë pjesë e projekteve të rëndësishme apo të jenë duke vazhduar studime të
mëtejshme në institucione prestigjioze.
Ky çmim bëhet mbështjetje e fuqishme që u jepet të diplomuarëve në Kolegjin Universitar “Bedër”, por
dhe duke i motivuar më tej për arritje të mëtejshme në aspektin profesional dhe akademik.

2. “Beder” Award
Çmimi “Bedër” vlerëson një të diplomuar i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Kolegjin
Universitar “Bedër” duke ndihmuar në rritjen e reputacionit dhe prestigjit të këtij institucioni. Ai bëhet
kësisoj mbështetje për studentët që vazhdojnë studimet pranë institucionit. Çmimi i jepet të diplomuarit,
që është përfshirë në mënyrë direkte ose indirekte në projekte të zhvilluara, të organizuara ose të
bashkërenduara nga ky Institucion i Arsimit të Lartë.
“Bedër” Award i shkon laureatit që mbështet brezat e ardhshëm për t’u integruar më lehtë me tregun e
punës apo me rrjetet profesionale dhe që ka dëshmuar përpjekje të vazhdueshme në adresimin dhe
ngritjen e vetëdijes për çështjet “Bedër”, brenda dhe jashtë vendit.

3. “Eagle” Award
Çmimi “Eagle” shpreh vlerësimin e Kolegjit Universitar “Bedër” kundrejt arritjeve të të diplomuarëve të tij,
të cilët kanë bërë pjesë së jetës së tyre profesionale, publike dhe private misionin që karakterizon
institucionin tonë arsimor të shprehur nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe marrjes së përgjegjësive sociale në
dobi të shoqërisë, mbrojtjen e vlerave kulturore kombëtare, traditave dhe zakoneve shqiptare, forcimin
dhe përfaqësimin denjësisht të identitetit tonë kombëtar në arenën ndërkombëtare.
Ky çmim është dëshmi e reflektimit dhe e zbatimit në jetën reale të diturive të marra në auditoret e
Kolegjit Universitar “Bedër”.

4. “Women Empowerment” Award
Ky çmim është ideuar veçanërisht për një kategori shumë të rëndësishme në shoqëri, siç janë gratë.
Çmimi vlerëson të diplomuarën pranë Kolegjit universitar “Bedër” e cila ka ndikuar në fuqizimin e rolit të
grave në shoqëri, të një gruaje që pavarësisht sfidave dhe vështirësive të kohës, ia ka dalë mbanë që të
promovojë rolin e rëndësishëm që ajo mbart në shoqërinë shqiptare. Ky çmim shpreh mirënjohje dhe
vlerësim për përpjekjet dhe iniciativat që bëjnë të mundur aktivizimin e grave në krijimin e një ambienti të
përshtatshëm, ku ato mund të kenë rolin e tyre në vendimarrje, përsa u përket çështjeve të tyre
personale, por edhe për çështje të lidhura me shoqërinë shqiptare.
Çmimi jepet për të mbështetur, për të inkurajuar bashkëpunimin dhe përpjektet e të diplomuarave në
fuqizimin e rolit të gruas duke krijuar më shumë siguri sociale, politike dhe ekonomike për to, në mënyrë
që të ndihen të gatshme të kërkojnë e mbrojnë të drejtat e tyre pa asnjë rezervë.

5. “H. Vehbi Dibra” Award
Ky çmim mban emrin e personalitetit të shquar kombëtar H. Vehbi Dibra, Kryetarit të Kongresit të Dibrës
(1908), firmëtar i Pavarësisë së Shqipërisë (1912) dhe Kryetari i Parë i Kuvendit të Shqipërisë.H. Vehbi
Dibra do të kujtohet me nderim si Kryetari i Parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar, promovues i
bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, erudit, dijetar dhe mendimtar i shquar .
Çmimi “H. Vehbi Dibra” është vlerësim për të diplomuarin në Kolegjin Universitar “Bedër”, i cili ka dhënë
kontribut kombëtar në fushën e arsimit, artit, shkencës, apo paqes sociale, duke ndjekur gjurmët e
intelektualëve dhe dijetarëve tanë, siç është figura e ndritur e H. Vehbi Dibrës. Fituesi i çmimit bëhet
kësisoj shembull në aspektin e përçimit të vlerave morale, etike dhe universale në shoqërinë shqiptare
dhe përtej saj.