Zhvillohet Simpoziumi VI Akademik Ndërfetar “Lutja"

Më datë 14 maj 2018, u zhvillua Simpoziumi VI Ndërfetar në fushën akademike midis përfaqësuesve universitarë të tri shkollave teologjike, të tri komuniteteve fetare në Shqipëri, departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër”, Akademia Teologjike Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës dhe Instituti Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian “Zonja e Këshillit të Mirë”, Shkodër, të cilët ishin edhe mikpritësit e simpoziumit të radhës. Simpoziumi i moderuar nga At Mario Imperatori, mblodhi sëbashku referues dhe përfaqësues të tri institucioneve të larta arsimore. Referuesi i parë ishte z. Spiro Kostoli, pedagog i muzikës bizantine në Akademinë Teologjike Ortodokse, Durrës me temë: "Jeta adhuruese dhe lutja". Ai foli rreth historikut të lutjes dhe vlerën e saj në teologjinë dhe kishën Ortodokse nga fillimi e gjer më sot. Referuesi i dytë ishte Dr. Xhemal el-Saferti, pedagog në departamentin e Shkencave Islame “Bedër”, i cili kumtoi rreth temës: “Lutja në Islam”. Ndër të tjera ai u shpreh:

 “Lutja është shpirti i adhurimit në Islam. Botëkuptimi i lutjes në Islam është aq i gjerë sa nuk e kufizojmë lutjen vetëm me besimtarët myslimanë por ajo është gjithëpërfshirëse.”            

Referuesi i tretë ishte At Mario Imperatori S.I, me temë: "Lutja dhe dialogu ne jetën e murgjeve të Tibhirines (Algjeri)". Ai foli rreth historisë së murgjve në zonën Tibhirines, Algjeri, kontributin në dialogun ndërfetar dhe sakrificën e tyre në rrugëtimin e bashkëpunimit me liderët myslimanë për paqe dhe stabilitet në atë zonë.

Në përfundim të simpoziumit u organizua një lutje e përbashkët, ku përfaqësues nga secila shkollë teologjike lexuan një lutje të përgatitur prej tyre rreth familjes, paqes, stabilitetit shoqëror dhe zgjidhjes së problemeve, që hasim çdo ditë. Në këtë simpozium morën pjesë drejtues, lektorë dhe studentë të departamentit të Shkencave Islame “Bedër”. Më pas pedagogët dhe studentët e tri  shkollave të larta teologjike kanë vizituar muzeun e kujtesës së persekutimit komunist, si dhe  muzeun ndërdioqezian, ku janë njohur me historinë e persekutimit të regjimit totalitar ndaj shqiptarëve në përgjithësi dhe klerit fetar në veçanti.