Bedër nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Elbasanit

Kolegji Universitar Bedër nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, me qëllim promovimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, rritjen e kapaciteteve të personelit akademik dhe studentëve, si dhe mbështetjen e ndërsjellë në realizimin e veprimtarisë në kuadër të zbatimit të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë.
 
E nënshkruar nga Rektori i KUB, Prof. Dr. Ferdinand Gjana dhe nga Rektori i UE, Prof. Dr. Skender Topi, marrëveshja synon që të dy institucionet e arsimit të lartë të bashkëpunojnë në çdo kohë dhe ta shtrijnë atë në të gjitha fushat e veprimtarisë së tyre.
 
Gjithashtu marrëveshja do të lehtësojë marrëdhëniet ndërinstitucionale për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve mes palëve, me synim komunikimin dhe shkëmbimin e personelit akademik, studentëve, informacioneve, ideve dhe eksperiencave që lidhen me fushat me interes të përbashkët.