Marrëveshje bashkëpunimi me Forumin Ndërfetar të Oksfordit në Britaninë e Bashkuar

Kolegji Universitar Bedër nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Forumin Ndërfetar të Oksfordit në Britaninë e Bashkuar (Oxford Interfaith Forum, UK)
 
Kolegji Universitar Bedër në kuadër të ndërkombëtarizimit dhe rritjes së bashkëpunimit akademik në fusha të ndryshme, së fundmi ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi 5-vjeçare me Forumin Ndërfetar të Oksfordit në Britaninë e Bashkuar (Oxford Interfaith Forum). Marrëveshja e nënshkruar nga rektori i Universitetit Prof. Dr. Gjergji Sinani dhe Drejtori i “Oxford Interfaith Forum” në Oksford, Britani e Bashkuar Dr. Thea Gomelauri, konsiston kryesisht në:
• promovimin e lektrimit në fushën e mësimeve të dialogut ndërfetar për të zhvilluar një komunitet akademik ndërkombëtar, që lidh studiues, profesionistë dhe politikëbërës nga mbarë bota;
• përfitimin reciprok të stafit akademik dhe studentëve të universitetit, për thellimin e njohurive akademike në fushën e religjionit;
• promovimin dhe inkurajimin e aktiviteteve të ndryshme, si organizimin e forumeve publike, seminareve dhe konferencave me tema me interes dhe rëndësi të përbashkët;
• promovimin dhe nxitjen e shkëmbimit të stafit akademik dhe studentëve për vizita afatshkurtra dhe afatgjata;
• shkëmbimin e ftesave për studiues dhe studentë për të marrë pjesë në aktivitete akademike, si programe trajnimi, leksione, konferenca, simpoziume, workshope në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave, etj.
Sipas marrëveshjes së nëshkruar personat e caktuar përgjegjës për zbatimin e saj, Dr. Thea Gomelauri, Drejtore e Forumit Ndërfetar të Oksfordit dhe Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, lektor nga Kolegji Universitar Bedër do të jenë gjithashtu anëtarë nderi në institucionin partner, respektivisht: Dr. Thea Gomelauri do të jetë Profesore Nderi në Departamentin e Shkencave Islame, KU Bedër dhe Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja do të jetë anëtar i Forumit Ndërfetar të Oksfordit, i cili para disa ditësh ka zhvilluar gjithashtu dhe një vizitë në Universitetin e Oksfordit, ku është pritur nga Dr. Thea Gomelauri, Drejtore e Forumit Ndërfetar të Oksfordit dhe Prof. Henrike Lähnemann, shefe e Katedrës së Letërsisë dhe Gjuhës Mesjetare Gjermane në Fakultetin e Gjuhëve Mesjetare dhe Moderne, Universiteti i Oksfordit.