Studentët e KU - Bedër zhvillojnë vizitë studimore në Emiratet e Bashkuara Arabe

Kolegji Universitar “Bedër” vazhdon me sukses implementimin e projektit “Bursa e Meritës” në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare “Educators Without Borders International”.

15 studentë nga programe të ndryshme studimi në Kolegjin Universitar “Bedër”, përfitues të Bursës së Meritës, shoqëruar nga dy lektorë, zhvilluan një vizitë studimore në Emiratet e Bashkuara Arabe, përgjatë datave 21-26 Prill.

Me ftesë të kryetarit të “Educators Without Borders International”, me seli në Gjenevë, Dr. Mohammed AlObeidli, studentët morën pjesë në konferecën e përvitshme DIHAD në Dubai.

Tema e këtij viti, që përkonte edhe me 20 vjetorin e konferencës ishte: DIHAD 2004-2024: Diplomacia Humanitare dhe Një Udhëtim drejt së Ardhmes”.

Sesionet u fokusuan në Diplomacinë Humanitare në lidhje me Aksesin dhe Sigurinë Njerëzore; për ndryshimet klimatike; për njerëzit në lëvizje dhe për sfidat globale të shëndetit.

Përveç pjesëmarrjes në DIHAD, studentët zhvilluan edhe një program të shkurtër shkëmbimi kulturor në Abu Dhabi, ku u takuan me studentë dhe të diplomuar nga universitetet më prestigjioze të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Gjatë qëndrimit në Abu Dhabi, ata u pritën nga CEO i organizatës, Dr. Ali Rashid AlNuaimi, dhe kryetari, Dr. Mohammed AlObeidli së bashku me anëtarë të tjerë të stafit.

Të dy drejtuesit e lartë i vlerësuan arritjet akademike të studentëve, i këshilluan rreth rrugëtimit profesional drejt së ardhmes dhe diskutuan me studentët dhe kolegët tanë rreth thellimit të bashkëpunimit të mëtejshëm institucional.

Gjatë vizitës së tyre, studentët vizituan edhe disa nga atraksionet kryesore turistike në Dubai dhe Abu Dhabi.