Master i Shkencave në Shkenca Islame

Programi Master i Shkencave në Shkenca Islame parashtron arsimim për të gjithë ata studentë, që janë të interesuar të ndërtojnë karrierën e tyre profesionale si në sektorin publik, ashtu dhe në atë privat në fushën e Shkencave Islame. Ky cikël zgjat dy vite dhe programi është projektuar t’u ofrojë një horizont intelektual studentëve, duke parashtruar një shumëllojshmëri konceptuale dhe perspektivash në fushën e Shkencave Islame.
 
Misioni
 
Misioni i programit Master i Shkencave në Shkenca Islame është formimi i një individi, që përmbledh në vetvete cilësitë dhe aftësitë e leximit dhe perceptimit të burimeve themelore të shkencave islame, që ndjek nga afër nevojat dhe ecurinë e informacionit në këtë fushë, kërkues, aktiv, bashkëpunues, i integruar në shoqëri, si dhe zotërues i cilësive etike, estetike, kulturore dhe profesionale.
 
Studentët që ndjekin këtë program studimi janë aktivë dhe të gatshëm për të bashkëpunuar, janë të integruar në shoqëri dhe të socializuar drejt, zotërojnë vlerat universale së bashku me ato fetare dhe përfaqësojnë profesionin e tyre në mënyrën më të përshtatshme lidhur me kulturën dhe traditën shqiptare, si dhe atë evropiane, në përputhje me zhvillimet e shekullit XXI.
 
Vizioni
 
Programi Master i Shkencave në Shkenca Islame synon të ndihmojë studentët në fitimin e aftësive të leximit dhe vlerësimit të burimeve klasike e bashkëkohore të Shkencave Islame; edukimin e studentëve në një mënyrë, që ata të përvetësojnë njohuri të thella në lidhje me aspektet fetare e sociale në harmoni me fushën e studimit të Shkencave Islame, si dhe përgatitjen e formimin e tyre, nëpërmjet gërshetimit të traditës, kulturës dhe realitetit bashkëkohor.
 
Lloji i programit, kohëzgjatja, numri i krediteve, etj.
 
Programi i studimit Master i Shkencave në Shkenca Islame është një program studimi me kohë të plotë dhe kohëzgjatja e studimeve është 2 vite akademike/4 semestra. Studentët për t’u diplomuar duhet të realizojnë 120 ECTS. Programi ofrohet në gjuhën shqipe. Në përfundim të programit, studentët pajisen me diplomë: Master i Shkencave në Shkenca Islame.
 
Mundësitë
Për të gjithë ata studentë që synojnë të ndërtojnë karrierën e tyre profesionale dhe akademike në fushën e Shkencave Islame, programi Master i Shkencave në Shkenca Islame ofron:
 
1. Përgatitjen e specialistëve të kualifikuar në fushën e Shkencave Islame, të cilët mund të shërbejnë si personel në institucionet e ndryshme në varësi të bashkësive islame dhe komuniteteve myslimane, si myftini, medrese dhe struktura të tjera në varësi të tyre në Shqipëri, Kosovë, Mqedoni e Veriut, Mal i Zi, trevat shqiptare dhe diasporë, si dhe KU Bedër, institucione arsimore e edukative, spitale, azile, burgje, etj. në vende të ndryshme të botës.
2. Diplomimin në ciklin e dytë “master” në Shkenca Islame e vijimi i studimeve në ciklin e tretë jo vetëm në Shkenca Islame, por edhe në fusha të tjera të Shkencave Sociale, si histori, psikologji, sociologji, filozofi, etj., brenda dhe jashtë vendit, i ndihmon të diplomuarit, që të kenë mundësi punësimi edhe në institucione të tjera publike dhe private në Shqipëri, rajon dhe në botë.
3. Ofrimin e mundësive të kryerjes së praktikave profesionale, programeve të shkëmbimit, i lënies së hapësirave të organizimit nga vetë studentët të aktiviteteve ekstrakurrikulare, i konferencave studentore si dhe mundësi studimi sipas programeve “Erasmus +”.
4. Pajisjen e studentëve me njohuri, aftësi dhe përvojë në drejtime të ndryshme të disiplinës së Shkencave Islame të ndërthurura me shkencat sociale dhe me disiplina si sociologji, filozofi, psikologji e fesë, pedagogji, etj. 
5. Formësimin e specialistëve të fushës në institucione dhe organizata qeveritare dhe OJF të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
6. Programi ofron perspektivën për t’u kthyer në një qendër kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare të Studimeve Islame.
7. Bashkëpunimet me institucione të ndryshme nëpërmjet projekteve të përbashkëta dhe angazhimit të studentëve pranë tyre, shërben si një mundësi për promovimin e Departamentit dhe institucionit, duke ndikuar në rritjen e eksperiencave praktike dhe krijimin e hapësirave më të gjera për punësimin e studentëve.
8. Mundësia e pjesëmarrjes në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare kryesisht në fushën e Shkencave Humane, Studimeve Islame, projekteve sociale, luftën ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, etj.
 
Pikat e forta
 
1. Programi Master i Shkencave në Shkenca Islame është i vetmi program, që ofron studime në fushën e Shkencave Islame në Shqipëri. Duke qenë i tillë bën të mundur, që studentët të cilët studiojnë në programin Master i Shkencave në Shkenca Islame t’iu mundësojë një formim, që përmbledh në vetvete cilësitë dhe aftësitë e leximit dhe perceptimit të burimeve themelore të studimeve islame, që ndjek nga afër nevojat dhe ecurinë e informacionit në këtë fushë, kërkues, aktiv, bashkëpunues, i integruar në shoqëri dhe që ka përvetësuar vlerat kombëtare e universale, si dhe zotërues i cilësive etike, kulturore dhe profesionale.
2. Nevoja për të diplomuar në këtë fushë në një program të veçantë si studimi në Shkenca Islame në Shqipëri, rajon dhe Perëndim, ku krahas aspektit akademik të kësaj fushe, i jepet rëndësi edhe ruajtjes së traditës shekullore shqiptare të Islamit në trojet tona, si një model edhe për Evropën.
3. Një ndër bibliotekat më të pasura me literaturë Islame në Shqipëri në disa gjuhë, e cila është një mundësi e mirë për hulumtime shkencore në këtë fushë, jo vetëm për stafin e akademik të departamentit por edhe më gjerë. 
4. Mundësitë e larta të mobilitetit të studentëve, të ofruara nga departamenti për praktika profesionale dhe trajnime brenda dhe jashtë vendit pranë institucioneve të ndryshme arsimore, edukative dhe akademike, i ofrojnë atyre eksperienca të vlefshme për karrierën e tyre.
5. Bashkëpunime zyrtare me universitete kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe me institucione të tjera, ku me anë të këtyre bashkëpunimeve Departamenti i Shkencave Islame realizon objektivat për praktikën, kërkimin shkencor, ndarjen e përvojave dhe punësimin e të diplomuarve.
6. Programi Master i Shkencave në Shkenca Islame përputhet dhe i shërben më së miri strategjisë kombëtare për luftën ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
7. Aktivitetet akademike, si panele, workshope, seminare, simpoziume dhe konferenca bëjnë që studenti të njihet me jetën akademike, që në krye të rrugëtimit të arsimimit. Kjo i përfton atij një horizont më të gjerë akademik dhe profesional.
8. Mundësia për botim e punimeve më të mira të tezave të masterit dhe projekteve të tjera brenda kuadrit mësimor të studentëve të Shkencave Islame në revistën kulturore “Drita Islame” dhe revistën shkencore “Zani i Naltë”, organe të KMSH-së rrit motivimin për kërkimin e mëtejshëm shkencor në fushën e Shkencave Islame.
 
Kriteret e pranimit në programin e studimit
 
Studentët për programin Master i Shkencave në Shkenca Islame të ofruar nga departamenti i Shkencave Islame, pranohen bazuar në tre kritere kryesore, secili me një përqindje të caktuar:
 
a) Mesatarja e studimeve të ciklit të parë, në masën 70%.
b) Intervista nga Komiteti Shkencor i Departamentit përkatës, në masën 30%.
c) Plotësimi i kushtit të mbrojtjes së një prej pesë gjuhëve të huaja në nivelin B1, sipas përcaktimit në udhëzimin nr.52, datë 3.12.2015.
 
Plani mësimor / Kurrikula e programit të studimit
 
Plani mësimor, organizimi i moduleve sipas lëndëve dhe veprimtaria formuese për programin Master i Shkencave në Shkenca Islame është paraqitur në tabelat e mëposhtme: