Master i Shkencave në Studime Religjioze

Programi Master i Shkencave në Studime Religjioze me tre profile: 1. Dialogu ndërfetar; 2. Edukim fetar dhe 3. Lidershipi fetar, parashtron arsimim për të gjithë ata studentë, që janë të interesuar të ndërtojnë karrierën e tyre profesionale si në sektorin publik, ashtu dhe në atë privat në fushën e Shkencave Humane si, të drejtat e njeriut, diplomacisë, drejtësisë, dialogut ndërfetar, shkencave sociale si, sociologji, filozofi, psikologji, antropologji, etj. Ky cikël zgjat dy vite dhe programi është projektuar t’u ofrojë një horizont intelektual studentëve, duke parashtruar një shumëllojshmëri konceptuale dhe perspektivash në fushën e Shkencave Humane.
 
Masteri ndërdisiplinor mbi dialogun ndërfetar u krijon mundësi studentëve të reflektojnë mbi rolin që ka feja në paqe dhe gjatë konflikteve në shoqëri. Ky master ka për qëllim të rrisë vetëdijen kulturore, politike dhe fetare të studentëve, e cila do t’i ndërgjegjësojë studentët mbi rëndësinë e të jetuarit në harmoni me të gjithë njerëzit, që kanë botëkuptime të ndryshme fetare, apo politike. Dialogu ndërfetar shikohet si një mjet, që mund të kontribuojë në largimin e keqkuptimeve dhe pranimin e dallimit, duke pasur si synim krijimin e një klime ku mbizotëron harmonia dhe bashkëjetesa paqësore në shoqëri.  
 
Misioni
 
Misioni i programit Master i Shkencave në Studime Religjioze është formimi i një individi, që përmbledh në vetvete cilësitë dhe aftësitë e leximit dhe perceptimit të burimeve themelore të shkencave humane, që ndjek nga afër nevojat dhe ecurinë e informacionit në këtë fushë, kërkues, aktiv, bashkëpunues, i integruar në shoqëri, si dhe zotërues i cilësive etike, estetike, kulturore dhe profesionale.
Studentët që ndjekin këtë program studimi janë aktivë dhe të gatshëm për të bashkëpunuar, janë të integruar në shoqëri dhe të socializuar drejt, zotërojnë vlerat universale dhe përfaqësojnë profesionin e tyre në mënyrën më të përshtatshme lidhur me kulturën dhe traditën shqiptare, si dhe atë evropiane, në përputhje me zhvillimet e shekullit XXI.
 
Vizioni
 
Programi Master i Shkencave në Studime Religjioze synon të ndihmojë studentët në fitimin e aftësive të leximit dhe vlerësimit të burimeve klasike e bashkëkohore të Shkencave Humane; edukimin e studentëve në një mënyrë, që ata të përvetësojnë njohuri të thella në lidhje me aspektet e dialogut ndërfetar e ndërkulturor në harmoni me fushën e studimit të Shkencave Humane, si dhe përgatitjen e formimin e tyre, nëpërmjet gërshetimit të traditës, kulturës dhe realitetit bashkëkohor.
 
Lloji i programit, kohëzgjatja, numri i krediteve, etj
 
Programi i studimit Master i Shkencave në Studime Religjioze është një program studimi me kohë të plotë dhe kohëzgjatja e studimeve është 2 vite akademike/4 semestra. Studentët për t’u diplomuar duhet të realizojnë 120 ECTS. Programi ofrohet në gjuhën angleze. Në përfundim të programit, studentët pajisen me diplomë “Master i Shkencave” në “Studime Religjioze” me një nga tre profilet 1. Dialogu ndërfetar; 2. Edukim fetar ose 3. Lidershipi fetar.
 
Mundësitë
 
Për të gjithë ata studentë që synojnë të ndërtojnë karrierën e tyre profesionale dhe akademike në fushën e Shkencave Humane, programi Master i Shkencave në Studime Religjioze me tre profile, ofron:
 
1. Përgatitjen e specialistëve të kualifikuar në fushën e Shkencave Humane, të cilët mund të shërbejnë si personel në institucionet e ndryshme shtetërore, institucione dhe organizata joqeveritare që promovojnë dialogun ndërfetar, institucione arsimore dhe edukative në Shqipëri dhe në vende të ndryshme të botës.
2. Diplomimin në ciklin e parë “Bachelor” në Shkenca Islame e vijimi i studimeve në ciklin e dytë dhe të tretë jo vetëm në Shkenca Islame, por edhe në fusha të tjera të Shkencave Humane dhe Sociale, si histori, psikologji, sociologji, filozofi, etj., brenda dhe jashtë vendit, i ndihmon të diplomuarit, që të kenë mundësi punësimi edhe në institucione të tjera publike dhe private në Shqipëri, rajon dhe në botë.
3. Ofrimin e mundësive të kryerjes së praktikave profesionale, programeve të shkëmbimit, i lënies së hapësirave të organizimit nga vetë studentët të aktiviteteve ekstrakurrikulare, i konferencave studentore si dhe mundësi studimi sipas programeve “Erasmus +”.
4. Pajisjen e studentëve me njohuri, aftësi dhe përvojë në drejtime të ndryshme të disiplinës së Shkencave Islame të ndërthurura me shkencat sociale dhe me disiplina si sociologji, filozofi, psikologji e fesë, pedagogji, etj. 
5. Mundësi për të qenë pjesë e studimeve të thelluara, apo për të kryer praktikat profesionale brenda dhe jashtë vendit.
6. Formësimin e specialistëve të marrëdhënieve ndërkulturore dhe ndërfetare në institucione dhe organizata qeveritare dhe OJF të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
7. Programi ofron perspektivën e saktë për t’u kthyer në një qendër kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare të Studimeve Religjioze dhe Dialogut Ndërfetar.
8. Mundësia e pjesëmarrjes në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare kryesisht në fushën e Shkencave Humane, Studimeve Islame, Dialogut Ndërfetar, Studimeve Religjioze, projekteve sociale, luftën ndaj radikalizmin dhe ekstremizmit të dhunshëm, etj.
 
Pikat e forta
 
1. Programi Master i Shkencave në Studime Religjioze është i vetmi program, që ofron studime në fushën e Dialogut Ndërfetar në Shqipëri. Duke qenë i tillë bën të mundur, që studentët të cilët studiojnë në programin Master në Studime Religjioze t’iu mundësojë një formim, që përmbledh në vetvete cilësitë dhe aftësitë e leximit dhe perceptimit të burimeve themelore të shkencave humane, studimeve religjioze dhe dialogut ndërfetar.
2. Nevoja për të diplomuar në këtë fushë në një program të veçantë si studimi në Studime Religjioze në Shqipëri, rajon dhe Perëndim, ku krahas aspektit akademik të kësaj fushe, i jepet rëndësi edhe ruajtjes së traditës shekullore shqiptare të harmonisë ndërfetare, si një model edhe për Europën dhe botën.
3. Mundësitë e larta të mobilitetit të studentëve, të ofruara nga departamenti për praktika profesionale dhe trajnime brenda dhe jashtë vendit pranë institucioneve të ndryshme arsimore, edukative dhe akademike, i ofrojnë atyre eksperienca të vlefshme për karrierën e tyre.
4. Kontributi, që departamenti tregon në ruajtjen e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri dhe më gjerë, nëpërmjet organizimeve periodike dhe të vazhdueshme të paneleve, seminareve, simpoziumeve dhe konferencave kombëtare dhe ndërkombëtare mbi dialogun ndërfetar në bashkëpunim me universitete dhe institucione të ndryshme akademike dhe jo vetëm.
5. Programi Master i Shkencave në Studime Religjioze përputhet dhe i shërben më së miri strategjisë kombëtare për luftën ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
6. Integrim i mësimit me kërkimin shkencor, duke nxitur studentët për organizimin dhe pjesëmarrjen në aktivitetet shkencore studentore.
 
Kriteret e pranimit në programin e studimit
 
Studentët për programin Master i Shkencave Studime Religjioze të ofruar nga departamenti i Shkencave Islame, pranohen bazuar në tre kritere kryesore, secili me një përqindje të caktuar:
 
1. Mesatarja e studimeve të ciklit të parë, në masën 70%.
2. Intervista nga komiteti shkencor i departamentit përkatës, në masën 30%.
3. Plotësimi i kushtit të mbrojtjes së një prej pesë gjuhëve të huaja në nivelin B1, sipas përcaktimit në udhëzimin nr. 52, datë 3.12.2015.
 
Plani mësimor / Kurrikula e programit të studimit
 
Programi Master i Shkencave në Studime Religjioze i hapur nga departamenti i “Shkencave Islame” synon të përgatisë profesionistë për implementimin e teorive më të fundit të Shkencave Islame të gërshetuara me Shkencat Sociale.
Plani mësimor, organizimi i moduleve sipas lëndëve dhe veprimtaria formuese për programin Master i Shkencave në Studime Religjioze është paraqitur në tabelat e mëposhtme: