Lektorë dhe studentë nga Kolegji Universitar “Bedër” morën pjesë në Forumin e 5-të të Dialogut të Politikave Evropiane (EPDF) “Të rinjtë dhe përfshirja sociale në qytete” i organizuar nga KAICIID në bashkëpunim me European Council of Religious Leaders/Religions for Peace Europe (ECRL/RfP), Network for Dialogue, Multicoloured Religions Rotterdam, OSCE Office for Democratic Institutions and Human Rights (ODIHR) dhe International Organization for Migration (IOM). Forumi u mbajt përgjatë datave 13-15 nëntor 2023 në Rotterdam, Hollandë.
Motoja e këtij forumi ishte: “të frymëzojmë, të lidhim dhe të angazhojmë” një gamë të larmishme palësh të interesuara, duke përfshirë aktorët fetarë, politikëbërësit, shoqërinë civile dhe të rinjtë, në misionin tonë të përbashkët për të nxitur qytete më gjithëpërfshirëse dhe harmonike në të gjithë Evropën. Ne synojmë të sigurojmë hapësira për mësim të ndërsjellë përmes dialogut në veprim dhe të ndërtojmë ura midis kulturave dhe feve.
Në këtë program morën pjesë rreth 120 përfaqësues të rinisë, shoqërisë civile, lidershipit politik dhe fetarë nga rreth 30 vende të ndryshme të Evropës. Nga Shqipëria morën pjesë si të ftuar Prof. Assoc. Dr. Genti Kruja, zv/president i Këshillave Ndërfetarë të Evropës (European National Interreligious Bodies), si dhe lektor në KU Bedër, PhD. Cand. Hysni Skura, lektor në departamentin e Shkencave Islame, si dhe znj. Nasibe Nur Karık, studente e vitit të parë në programin Master i Shkencave në Marrëdhënie me Publikun.
Gjatë pjesëmarrjes në këtë forum u prezantua eksperienca e dialogut ndërfetar në Shqipëri si dhe roli i të rinjve në ruajtjen dhe vazhdimësinë e saj.