Bedër, akses të plotë në JSTOR

Kolegji Universitar Bedër arrin marrëveshjen për abonim të plotë në JSTOR, duke i mundësuar studentëve dhe stafit akademik akses në këtë bibliotekë gjigante botërore. JSTOR mundëson përdorimin e më shumë se 12 milionë artikujve të revistave shkencore, librave dhe burimeve parësore në 75 disiplina të ndryshme.
 
Komuniteti i Bedër do të ketë mundësinë e plotë të eksplorimit të një game të gjerë të përmbajtjes studimore përmes kësaj platforme të fuqishme kërkimore dhe mësimore. JSTOR bashkëpunon me komunitetin akademik për të ndihmuar bibliotekat të lidhin studentët dhe kërkuesit shkencorë nga mbarë bota, duke ulur kostot dhe kohën e aksesimit, si dhe të ndihmojnë botuesit të arrijnë audienca të reja dhe të ruajnë përmbajtjen e tyre për brezat e ardhshëm. JSTOR është pjesë e ITHAKA, një organizatë jo-fitimprurëse që përfshin gjithashtu Artstor, Ithaka S + R, dhe Portico.
 
Kolegji Universitar Bedër i jep një rëndësi të madhe kërkimit shkencor, nëpërmjet organizimit të konferencave, workshopeve, pjesëmarrjes në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, programeve të shkëmbimit të studentëve dhe stafit, etj. Krahas bibliotekës me mbi 35000 tituj që gjendet në ambientet e universitetit, tashmë në dispozicion do të jetë falas për studentët dhe stafin edhe biblioteka gjigante botërore JSTOR.
 
Për të aksesuar JSTOR dhe për të marrë më shumë informacion klikoni në adresën: https://www.jstor.org/