Dita e dytë e Institutit të Lirisë Fetare dhe Demokracisë

Instituti për Liri Fetare dhe Demokraci, vazhdoi sot punimet në ditën e dytë të saj, me trajnime, diskutime dhe vizita në institucione dhe objektet e kulteve.
 
Programi i ditës së sotme u hap me panelin e disutimit, mbi temën: "Feja, Liritë dhe Demokracia", në të cilën të ftuar ishin Dr. Geore Gaitanos përgjegjës i Departamentit të Teologjisë sociale, K.U. Logos; Don Arjan Dodaj Vikari i Përgjithshëm i Dioqezës Tiranë-Durrës dhe Dr. Atakan Derelioglu lektor në Departamentin e Shkencave Islame, K.U. Bedër. 
 
Dr. Geore Gaitanos foli rreth perspektivës së Kishës Ortodokse në Lirinë Fetare dhe Demokracinë, dhe mbi rëndësinë e dinjitetit njerëzor me anë të së cilës njeriu mban përgjegjësi morale e ligjore. 
 
"Burimi i fesë është ndërgjegjja."- tha z. Arjan Dodaj, në fjalën e tij mbi perspektivën e Kishës Katolike mbi Lirinë Fetare dhe Demokracinë. Ai vuri theksin se çdo njeri është i aftë nga natyra që ta njohë besimin.
 
Ndërsa Dr. Atakan Derelioglu në temën e tij mbi perspektivën e Islamit mbi Lirinë Fetare dhe Demokracinë u shpreh se shumëllojshmëria kulturore është po aq e nevojshme sa shumëllojshmëria njerëzore në natyrë. "Kurani e pranon diversitetin si dicka të nevojshme dhe na këshillon të sillemi mirë me të tjerët dhe të tregojmë respekt ndaj tyre." - tha z. Derelioglu.
 
Programi vazhdoi më tej me vizitën e studentëve në Qendrën për Luftën Kundër Dhunës dhe Ekstremizmit, në Katedralen Katolike dhe në Dioqezën ortodokse Durrës-Tiranë.