Në kuadër të 50 vjetorit të revoltës së Spaçit, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Kolegji Universitar "Bedër", zhvilluan aktivitetin përkujtimor me titull: “In memorien: Persekutimi komunist i prijësve dhe dijetarëve myslimanë në Shqipëri”.
Ky program u çel me leximin e disa ajeteve Kuranore nga hafizi Enes Hyka.
Për të vijuar më pas me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili vlerësoi nismën e KU Bedër dhe Autoritetit të Dosjeve për të sjellë në vëmendje hoxhallarët e shquar të cilët u persekutuan, u përndoqën e u pushkatuan nga regjimi komunist. Më tej ai përmendi disa prej tyre, pozitat e larta që mbanin në shoqërinë e asaj kohe dhe fundin që pësuan pas persekutimit komunist.
"Nuk duhet harruar se të gjithë hoxhallarët myslimanë që vuajtën pasojat e atij regjimi famëkeq ishin të shkolluar në universitetet më të mira të botës islame dhe një pjesë e tyre ishin edhe firmëtarë të pavarësisë dhe personalitete të shquara kombëtare. Ata, përveçse dijetarë, patriotë, kanë qenë edhe ndër kontribuesit më të mëdhenj të harmonisë fetare në vend. Ata i karakterizonte gjithashtu dashuria e jashtëzakonshme ndaj atdheut dhe nuk pranuan asnjë kompromis me regjimin, duke i qëndruar besnikë fesë dhe kombit, dhe për këtë shpirti i tyre mbeti gjitmonë i lirë." - tha Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij.
Ndërsa Rektori i Ku Bedër, Prof. Dr. Gjergji Sinani, ndau me të pranishmit një rezyme të shkurtër mbi pasojat e rënda që vuajti kleri mysliman gjatë periudhës së errët komuniste, duke nxjerrë në pah kontributin e tyre të vyer në aspektin kombëtar, kulturor, atë fetar, publicistik e edukativ.
Të pranishmit i përshëndeti gjithashtu edhe anëtari i Autoritetit të Dosjeve, z. Skënder Vrioni, i cili tha se ne do t’i kujtojmë dhe do të mundohemi që t’u japim vendin e merituar, aty ku u takon, ne piedestalin e figurave të ndritura të kombit tonë.
Pas fjalëve përshëndetëse, ky aktivitet përkujtimor, vijoi me seancën e referimeve, ku z. Çelo Hoxha, Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, referoi me temën: "Revolta e Spaçit dhe kampet e punës së detyruar", z. Dorian Demetja, Drejtor i Kulturës pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, referoi me temën:"Mendimi i dijetarëve myslimanë shqiptarë për komunizmin dhe shpërbërja e kuadrit të KMSH", dhe Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, Departamenti i Shkencave Islame, KU Bedër & Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, referoi me temën:"Hoxhallarët e persekutuar."
Në mbyllje, të pranishmit u bënë pjesë e ekspozitës me fragmente nga jeta e hoxhallarëve të persekutuar në ambientet e sallës së konferencave të KU Bedër.