Nis programi treditor i Institutit për Liri Fetare dhe Demokraci

Instituti për Liri Fetare dhe Demokraci, i organizuar nga Kolegji Universitar Bedër dhe Fondacioni H. Ali Korça, me mbështetjen e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikanë në Tiranë, çeli sot punimet e programit treditor, ku pjesëmarrës janë studentë nga universitete të ndryshme të vendit.

Në ceremoninë e hapjes, e cila u mbajt në ambientet e KU Bedër, merrnin pjesë personalitete nga fusha të ndryshme, të cilët e vlerësuan domosdoshmërinë e nismave të tilla, ku fokusi vendoset tek të rinjtë.

Në fjalën e hapjes, Rektori i KU Bedër, Prof. Dr. Gjana, falënderoi të pranishmit që iu përgjigjen ftesës, si dhe vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit për nisma të tilla.  Prof. Gjana theksoi se harmonia fetare në Shqipëri është një lehtësim për të gjitha plagët me të cilat përballet ende sot shoqëria jonë. Ai theksoi faktin se Shqipëria i ka zgjidhur me kohë çështjet që lidhen me dialogun dhe lirinë fetare, duke u bërë një shembull edhe për vendet e tjera të Europës dhe më gjerë.

Zv/Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Prof. Vasilika Hysi, i bëri apel të rinjve të pranishëm, se janë ata që mund të kontribuojnë më shumë për t’i thënë jo gjuhës së urrejtjes, duke promovuar modelet më të mira. “Edukimi është rruga më e mirë për t’i thënë jo fenomeneve që nxisin urrejtjen dhe luftën”, theksoi znj. Hysi, duke premtuar se Kuvendi i Shqipërisë do të punojë më fort për të hartuar ligje më të mira dhe të parashikojë buxhete të mjaftueshme për një arsimim të mirë. Ajo i ftoi të rinjtë e pranishëm në Institutin për Liri Fetare dhe Demokraci në një seancë dëgjimore në Kuvend, për të promovuar modelet më të mira të harmonisë dhe dialogut ndërfetar.

Presidenti i Fondacionit “H. Ali Korça”, Skënder Bruçaj, në fjalën e tij u fokusua tek e drejta e lirisë së besimit dhe ushtrimit të tij. “Sipas fesë Islame, Zoti na ka lënë të lirë të zgjedhim besimin, duke u bazuar tek ndërgjegjja”, theksoi z. Bruçaj, duke shtuar se në fe nuk ka detyrim për përzgjedhjen e besimit.

Zyrtari për të Drejtat e Njeriut në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Ian Crawford, u kujtoi të pranishmëve se për pesëqind vjet, shqiptarët, myslimanë dhe krishterë, kanë bashkëjetuar në harmoni. “Nuk ka qenë thjesht tolerim ndaj njëri-tjetrit; ju e keni dashur dhe respektuar njëri-tjetrin. Për një gjysmë mijëvjeçari, ju keni qenë shembull për marrëdhëniet ndërfetare jo vetëm në rajon, por edhe në botë”, tha z. Crawford.

Zv/ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, hodhi idenë e bashkëpunimit mes studentëve të teologjisë, për të kontribuar në rritjen e rolit të familjes. “Ne si shqiptarë gjërat që kemi duhet t’i çmojmë. Aty ku është e nevojshme duhet të ndërhyjmë edhe për përmirësime”, vuri theksin z. Gogu, duke shtuar se e drejta e besimit është e patjetërsueshme dhe njeriu lind me të.

Punimet vazhduan më tej me kumtesat e të ftuarve të tjerë. Para studentëve referuan Znj. Loreta Aliko, Kryetare e Komitetit të Kulteve; z. Agron Sojati, drejtor i Qendrës për Luftën Kundër Dhunës dhe Ekstremizmit; z. Besnik Mustafaj, ish-ministër i Jashtëm.

Instituti për Liri Fetare dhe Demokraci do të vazhdojë punimet edhe për dy ditët në vazhdim, ku krahas diskutimeve dhe trajnimeve me studiues të njohur të fushës, janë parashikuar edhe aktivitete për njohjen e vlerave të harmonisë fetare në Shqipëri, si dhe vizita nëpër objektet e kulteve në Tiranë.