Përmbyllet me sukses Instituti i Lirisë Fetare dhe Demokracisë

Instituti i Lirisë Fetare dhe Demokracisë përmbylli sot programin 3 ditor të trajnimit me studentë nga 8 univesitete të ndryshme në vend.

Në ditë e saj të tretë, pjesa e parë e programit u zhvillua në formën e panelit të diskutimi ku të ftuar ishin Prof. Dr. Gjergj Sinani, Universiteti i Tiranës i cili foli rreth temës “Liritë, të Drejtat e Njeriut dhe Demokracia”; Dr. Enri Hide, Universiteti Europian i Tiranës me temën e diskutimit “Liria e fesë dhe radikalizmi fetar” dhe Dr. Genti Kruja, Kolegji Universitar Bedër i cili foli mbi historinë e dialogut ndërfetar në Shqipëri.

Panel i dytë i diskutimit u fokusua tek çështjet juridike mbi lirinë fetare dhe demokracinë. Të ftuar ishin Renata Tokrri, Universiteti i Durrësit Aleksander Moisiu e cila foli mbi temën “Qasja dualiste ndaj lirisë së besimit në shoqëritë demokratike” dhe Msc. Bledar Uku, Kolegji Universitar Bedër  mbi temën “Të drejtat dhe mbrojtjen e tij në Shoqërinë Demokratike”.

Programi vazhdoi më tej me punën në grup dhe prezantimin e projekteve nga studentët pjesëmarrës, mbi marrëdhënien shtet-fe në vendet si SHBA, Francë dhe Austri, dialogu ndërfetar ne Shqiperi, si dhe mbi lirinë e besimit dhe të shprehjes.

30 studentët pjesëmarrës në këtë program u vlerësuan me çertifikata si pjesëmarrës në Institutin e Lirisë Fetare dhe Demokracisë, i organizuar nga Kolegji Universitar Bedër dhe Fondacioni H. Ali Korça, me mbështetjen e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikanë në Tiranë.