Studentët e vitit të dytë Master në Studime Religjioze në Departamentin e Shkencave Islame, nën udhëheqjen e pedagogut të tyre Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, kanë marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Haifas mbi rolin e fesë në diplomacinë ndërkombëtare.
Konferenca e zhvilluar sipas modeleve të konferencave për dialog abrahamik “Jews, Christians & Muslims (JCM)”, zhvilluar më parë në Gjermani, ka mbledhur në qytetin e Haifas në Izrael pedagogë dhe studentë nga universitete të ndryshme nga Mesdheu, Lindja e Mesme dhe Europa, si Shqipëria, Izraeli, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Maroku, Bahrejni, Greqia, Gjermania, Anglia, etj., ku studiues të besimeve abrahamike, kanë folur dhe diskutuar rreth modeleve më të mira të bashkëjetesës ndërfetare, duke përfshirë leksione, grupe diskutimi, panele dhe vizita në objekte të ndryshme kulti në qytetin multifetar të Haifas.
Prof. Kruja ka prezantuar në një nga panelet kryesore të konferencës, modelin shqiptar të dialogut ndërfetar, qoftë në aspektin historik dhe sociologjik, qoftë në aspektin e praktikave më të mira në ditët e sotme, nëpërmjet institucioneve akademike dhe departamenteve të teologjive në Shqipëri, themeluar nga komunitetet e ndryshme fetare në vendin tonë. Ai është ndalur gjithashtu dhe në shembullin e mbrojtjes së hebrenjve nga familjet shqiptare gjatë luftës së dytë botërore, e cila vlerësohet si një shembull i rrallë në botë.
Më pas delegacioni nga Departamenti i Shkencave Islame ka vizituar gjithashtu dhe qytetin e shenjtë të Jeruzalemit (Kudsit Sherif), ku kanë vizituar Xhaminë el Aksa, Kubetus Sahra, Mesxhidul Merjem, Mesxhidul Burak, bibliotekën islame Aksa, Muzeun Islam të Aksasë, si dhe vende të shumta historike të qytetit të profetëve.
Kjo vizitë studimore dhe pjesëmarrja në konferencë vjen si rezultat i lëndës së “Sociologjisë së Fesë”, pjesë e kurrikulës së Masterit në Studime Religjioze, e cila jepet nga prof. Genti Kruja.