Zhvillohet Konferenca e dytë Studentore në shkenca Islame

Studentët e Departamentit të Shkencave Islame organizuan sot konferencën e dytë studentore në Shkenca Islame, me temë: “Aspektet intelektuale në revistën Kultura Islame1939-1946”.

Në këtë konferencë u diskutua rreth historikut, vlerës dhe objektivave të kësaj reviste, ku morën pjesë nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, drejtori i Medresesë së Tiranës, profesorë dhe studentë të KU Bedër, si dhe nxënës nga Medreseja e Tiranës.

Konferenca u çel me lexim Kur’ani nga studenti Abdullah Ziba dhe më pas fjalën përshëndetëse e mori përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame, Dr. Genti Kruja, cili bëri një prezantim të përgjithshëm rreth shtypit dhe periodikut mysliman pas shpalljes së Pavarësisë.

Nënkryetari i KMSh-së, z. Lauren Luli foli për sfidat që kanë kaluar vit pas viti organet e Komunitetit Mysliman dhe në veçanti shtypi islam. Po ashtu ai foli mbi nevojën e njohjes së revistave të vjetra, të cilat do ta pasurojnë botën tonë me historitë dhe kontributin që kanë lënë paraardhësit tanë.

Fjalën përshëndetëse e mori dhe drejtori i Medresesë së Tiranës, z. Ali Zaimi, i cili fjalimin e tij e fokusoi në rolin që luajnë periodikët në jetën e të rinjve, kontributin që ata mund të shfaqin me talentet e tyre, etj.

Më pas konferenca vijoi punën me dy seanca, ku studentët referuan lidhur me punimet e tyre.