Ditën e enjte me datë 3 dhjetor 2015, me ftesë të Myftinisë Elbasan, Dr. Xhemal Alsafarty, pedagog në Departamentin e Shkencave Islame ne Universitetin Bedër ka mbajtur një bisedë me të rinjtë e xhamive të Elbasanit me temë, “Rinia dhe roli i saj në përhapjen e vlerave Islame”.
Profesor Xhemali iu drejtua të pranishmëve duke iu përmendur shembuj nga jeta e Profetit a.s. dhe nga shokët e tij besnik, në lidhje me kontributin e rinisë në përhapjen e vlerave, kulturës dhe civilizimit Islam, si dhe harmonisë dhe bashkëjetesës mes myslimanëve dhe jomyslimanëve.
Fjala e tij u përqendrua rreth rinisë, duke i bërë thirrje që të punojnë sipas metodës së më të Mirit të Njerëzimit, Profetit a.s., në komunikimin me njerëzit, në dhembshurinë ndaj të gjitha krijesave të Zotit xh.sh. dhe gjithmonë të largohemi nga dhuna, agresiviteti, tensionet, ekstremizmi dhe nga mosnjohja e fesë, duke qenë gjithmonë të mëshirshëm, sepse vetë Zoti xh.sh. e dërgoi Profetin e Tij vetëm se mëshirë për të gjithë botërat.
Më pas profesori shpjegoi metodën se si komunikonte Krenaria e Njerëzimit Profeti Muhamed a.s. me jomyslimanët dhe si iu drejtonte atyre. Profeti asnjëherë mosbesimtarëve nuk iu drejtohej, duke i thënë “o qafir”, por u thoshte “o vëllezër të arabëve”, sepse nga krijim të gjithë jemi vëllezër, të gjithë jemi nga Ademi (a.s.).
“Besimtari gjithmonë duhet të reflektojë dritë, ai duhet të jetë i butë dhe i mëshirshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta lartësojmë dhe përhapim fjalën e Allahut në çdo cep të botës, sepse të tillë ishin shokët e nderuar të Profetit a.s., të cilët e përhapën mesazhin Islam me paqe, butësi, drejtësi, tolerancë, e jo me dhunë, agresivitet, apo imponim”, tha ai ndër të tjera.
Në fund të fjalës së tij, Dr. Xhemali iu drejtua të pranishmëve duke i porositur me dy mesazhe të rëndësishme:
1. Ndiqni rrugën e Profetit a.s., traditën e tij në të gjitha aspektet e jetës. Ndiqeni atë, se si përhapte dashurinë dhe vëllazërinë mes besimtarëve duke thënë: “Myslimani është vëlla i besimtarit” dhe mos kritiko, mos urre tjetrin që mendon ndryshe.
2. Përhapni dhembshurinë, faljen, mëshirën tek të gjithë njerëzit, tek myslimanët dhe jomyslimanët, duke u bazuar në ajetin Kur’anor: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) si mëshirë për të gjitha botërat”.