Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, sëbashku me përfaqësues të tjerë të lartë të institucionit, zhvilluan disa vizita pune në institucione të ndryshme në Prishtinë.
Fillimisht delegacioni i Bedër, vizitoi Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, ku janë pritur nga Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava, sekretari i përgjithshëm H. Resul Rexhepi, drejtori i Kulturës z. Ramadan Shkodra dhe drejtori i Medias z. Ahmet Sadriu. Myftiu i ka uruar delegacionit mirëseardhjen, duke shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit në çdo fushë të përbashkët, krahas disa bashkëpunimeve që Bashkësia Islame e Kosovës ka tashmë me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
Edhe rektori i institucionit tonë ka shprehur falenderimet për pritjen e ngrohtë dhe gatishmërinë e bashkëpunimit në fusha të përbashkëta, sidomos në unifikimin e teksteve mësimore dhe shkollore të medreseve në të gjitha trojet shqiptare dhe literaturës islame për fakultetet e studimeve në Shkencat Islame në rajon.
Vizita e radhës u zhvillua pranë Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, ku përfaqësuesit e institucionit janë pritur nga dekani, Doc. Dr. Fahrush Rexhepi dhe stafi akademik i këtij fakulteti. Ata kanë folur për rëndësinë e bashkëpunimit reciprok në fushën akademike, shkëmbim eksperiencash midis institucioneve arsimore dhe akademike, etj.
Medreseja “Alauddin” në Prishtinë, ishte institucioni i fundit që u vizitua nga delegacioni i institucionit tonë, ku janë pritur nga drejtori z. Jakup Çunaku dhe stafi pedagogjik i kësaj shkolle.
Gjatë këtyre vizitave në Prishtinë, Rektori i Bedër shoqërohej nga dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit Prof. Dr. Rahim Ombashi, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja dhe Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit Dr. Ramadan Çipuri.