Universiteti Hëna e Plotë (Bedër) organizoi sot programin e trajnimit me temë “Islami dhe komunikimi në publik” për një numër të konsiderueshëm imamësh dhe studentë teologjie. Pjesëmarrësit në këtë aktivitet vinin nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si Durrësi, Elbasani dhe Kavaja.
Ky trajnim u nda në disa sesione të ndryshme ku referuesit përkatës trajtuan tema të tilla si: “Rëndësia e unitetit dhe solidaritetit në Islam”, “Arti i komunikimit në publik”, si dhe “Metodat e kumtesës dhe karakteristikat e kumtuesit”.
Aktiviteti në fjalë u përshëndet gjithashtu edhe nga Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Bujar Spahiu. I cili gjatë fjalës së tij shprehu mirënjohje ndaj Universitetit Hëna e Plotë (Bedër) që mundësoi këtë aktivitet. Gjithashtu ai nuk la pa përmendur as rëndësinë që ka në ditët e sotme një e folur sa më e kompletuar në prezantimin e fesë Islame apo tematikave të ndryshme të saj.
Në fund të aktivitetit gjatë shpërndarjes së certifikatave, të pranishmit e vlerësuan këtë organizim mjaft të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së komunikimit të fesë Islame në publik.