Kolana “Zani i Naltë” në Seminarin “Kur librat flasin” IV

Departamenti i Shkencave Islame në bashkëpunim me klubin studentor “Mesazhi i jetës” në kuadër të vazhdimit të ciklit të seminareve “Kur librat flasin”, kanë zhvilluar më 17 janar 2018, takimin e katërt, ku kanë diskutuar rreth veprës së kolanës “Zani i Naltë” (1923-1939) me të ftuar dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi.

Gjatë aktivitetit, nën moderimin e kryetarit të klubit “Mesazhi i jetës”, studentit Haki Sahitaj, përgjegjësi i departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja dhe profesor Ombashi bashkëbiseduan me studentët rreth veprës së përmbledhur në kolanën “Zani i Naltë”.

Dr. Genti Kruja paraqiti një përmbledhje të përgjithshme të historikut të revistës, artikujve të fushave të ndryshme të Shkencave Islame dhe Sociale. Ai foli gjithashtu për penat e shquara të kësaj reviste të dëshmuara nga dijetarët myslimanë shqiptarë të viteve 20-30-të të shekullit XX, si dhe për mesazhet gjithnjë aktuale, që përcjell edhe sot pas 95 vitesh nga themelimi i saj. Ndërkohë,  Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi bëri një analizë të disa rubrikave të revistës, duke theksuar rëndësinë, që kishte dhe ka për komunitetin mysliman të shqiptarëve në të gjitha trojet dhe në veçanti për vlerat e ruajtura të gjuhës shqipe. Ndërkohë ai ftoi të gjithë studentët e departamentit të Shkencave Islame të shfrytëzojnë materialet e revistave “Zani i Naltë” për të mbështetur kërkimet e tyre shkencore në të ardhmen.