Zhvillohet Konferenca e I-rë Studentore në Shkencat Islame,
“Mendimi Islam tek dijetarët shqiptarë”
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër” ka zhvilluar sot më 6 prill 2017 Konferencën e I-rë Studentore “Mendimi Islam tek dijetarët shqiptarë”.
Aktiviteti fillimisht është hapur me këndim Kur’ani nga studenti Abdullah Ziba dhe më pas është transmetuar dokumentari “Në gjurmët e dijetarëve myslimanë shqiptarë”.
Në seancën e hapjes, moderuar nga lektori z. Hysni Skura fjalën e hapjes e mbajti Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame dhe më pas kanë përshëndetur konferencën Prof. Dr. Ferdinand Gjana, rektor i KU Bedër dhe H. Skender Bruçaj, kryetar i KMSH-së.
Në këtë konferencë ishin gjithashtu të pranishëm dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit në Bedër Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, pedagogë të universitetit, drejtori i Kulturës në KMSH z. Dorian Demetja, drejtori i Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun në KMSH z. Agron Hoxha, Kryevaizi i Shqipërisë z. Lauren Luli, si dhe studentë të Bedrit.
Ky aktivitet i studiuesve të rinj, organizuar nga Departamenti i Shkencave Islame në Bedër, konsistoi në referimin e një sërë tematikash të ndryshme nga vetë studentët rreth mendimit islam tek dijetarët shqiptarë ndër vite.
Dy seancat e referimeve me moderatorë, lektorët z. Veton Tulla dhe z. Hekuran Uzuni kanë vazhduar me kumtesat e nëntë studentëve me tematika dhe analiza interesante rreth librave dhe veprave të dijetarëve myslimanë shqiptarë.
Studentët që referuan dhe temat e tyre ishin si më poshtë:
1. Sefer Vrana – Analizë e veprës “Bolshevizma, a çkatërrimi i njerëzimit” me autor H. Ali Korça
2. Lorela Sula - H. Ismet Dibra në Kolanën “Zani i Naltë”
3. Aorel Senja - Ç’urdhnon Kurani, H. Vehbi Dibra
4. Armir Jangulli – Analizë e veprës “A duhet Feja, a pengon bashkimin kombëtar” me autor H. Ali Kraja
5. Abdullah Bulku - H. Ibrahim Dalliu, Analizë e veprës së pabotuar të H. Ibrahim Dalliut “Nji andërr e imja”
6. Migena Jani - H. Ali Kraja, analizë e veprës së tij
7. Haki Sahitaj - Analizë e veprës “Qytetërimi Islam” me autor Sami Frashërin
8. Uliks Nipolli - Analizë e veprës së Hasan Tahsinit
9. Albi Hoxha - vepra “Rubaijjat” e H. Ali Korçës.
Në mbyllje të konferencës për referuesit u shpërndanë edhe certifikata pjesëmarrjeje, dorëzuar nga stafi i Departamentit të Shkencave Islame.
Gjatë këtij aktiviteti ishte e hapur gjithashtu edhe ekspozita “Në gjurmët e dijetarëve myslimanë shqiptarë”, si dhe një stand me librat e dijetarëve myslimanë shqiptarë, botime të KMSH-së.