Gjatë datave 26-29 qershor 2018 u zhvillua në Castel Gandolfo - Romë, Konferenca IV Ndërkombëtare Scholas Chairs në fushën e edukimit, arsimit dhe dialogut ndërfetar. Në këtë konferencë merrnin pjesë më shumë se treqind pjesëmarrës, si akademikë, studiues dhe studentë nga 75 universitete të ndryshme nga të pesë kontinentet e botës me një larmi besimesh, kombesh e kulturash.
Në këtë konferencë për të tretin vit radhazi mori pjesë edhe KU “Bedër”, ku mbajtën kumtesat e tyre rektori i universitetit Prof. Dr. Ferdinand Gjana dhe Dr. Genti Kruja, përgjegjës i departamentit të Shkencave Islame.
Prof. Gjana krahas referatit të tij mori pjesë edhe në disa takime të rektorëve të universiteteve të ndryshme ndërkombëtare, ku u shkëmbyen ide dhe përvoja nga aktivitetet akademike, sociale e të tjera nga vende të shumta të botës.
Konferenca organizohej nga Fondacioni Pontifical Scholas Occurrentes, i themeluar në Buenos Aires, Argjentinë, nga Papa Françesku, atëherë kryepeshkop, i cili ka për synim që nëpërmjet edukimit të promovojë ndryshimet shoqërore dhe kulturore. Objektivi i tij themelor është promovimi i kulturës së takimit për paqen nëpërmjet edukimit, teknologjisë, artit dhe sportit.
Gjatë tri ditëve të konferencës së këtij viti, profesorët nga 75 universitete dhe 30 vende të ndryshme të botës kanë diskutuar mbi arsimin, edukimin, çështjen e refugjatëve dhe dialogun ndërkulturor e ndërfetar.