Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër, në kuadër të 25 vjetorit të lirisë së besimit në vendin tonë, organizoi në bashkëpunim me Seminarin Ndërdioqezian në Shkodër dhe Akademinë Teologjike në Durrës simpoziumin e parë ndërfetar me temë: “Liria e besimit dhe dialogu ndërfetar në Shqipëri”.
Nëntori i vitit 1990 muaj në të cilin u zhvilluan ritet e para fetare pas shumë viteve ndalimi nga regjimi komunist si dhe harmonia e bashkëjetesa ndërfetare në këto 25 vite liri besimi, ishin çështjet themelore ku u zhvilluan referimet e At Mario Imperatori, Seminari Ndërdioqezian, Shkodër, Z. Vlash Plepi, Akademia Teologjike Orthodhokse, Shën Vlash dhe Dr. Genti Kruja, Depart. i Shkencave Islame, Universiteti Bedër & KMSH, të cilët përbënin edhe panelin e kësaj tryeze të rrumbullakët.
Si moderator i këtij simpoziumi, Rektori i Universitetit Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrejen e tyre, theksoi se ky institucion ka zhvilluar me dhjetëra konferenca, seminare, workshope etj, ka pritur me mijëra njerëz ndoshta, por aktiviteti i sotëm ka një kuptim të veçantë dhe rëndësi të lartë në llojin e tij.
“Ka mënyra të ndryshme për ti zgjidhur konfliktet që kanë pushtuar botën sot por ne jemi mbledhur për ti parandaluar ato, pikërisht duke u përcjellë ju studentëve, brezave të ardhshëm mesazhe të rëndësishme të dialogut ndërfetar nga përfaqësues të botës akademike myslimane, orthodhokse dhe katolike.”- tha ai.
Ndërsa Atë Mario Imperatori në fjalën e tij përshëndetëse, pasi bëri një rezyme të historisë dhe arritjeve të deritanishme të kishës katolike në vendin tonë theksoi se çdo njeri ka të drejtë ta kërkoje Zotin lirisht, pavarësisht fesë ndërmjet të cilës e kërkon atë dhe është pikërisht ky fakt i cili na shtyn të respektojmë të drejtat religjioze të tjetrit.
“Me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të dialogut ndërfetar në Shqipëri ne do të vijojmë me organizimin e përbashkët të të tilla aktiviteteve, ashtu siç kemi bërë deri më tani.”- tha ai në përfundim të fjalës së tij.
Për të vijuar më tëj me Z. Vlash Plepi, Akademia Teologjike Orthodhokse, i cili ndau me të pranishmit rëndësinë e bashkëekzistencës paqësore duke sjellë në fokus të diskutimit shëmbuj të shumtë nga historia e përbashkët religjioze e vendit tonë.
“Është e domosdoshme të gjejmë një shteg mes ekstremeve, e kjo gjë bëhet vetëm duke dialoguar, ky i fundit nuk është asgjë tjetër veçse njohje e tjetrit duke pranuar fenë e tij siç është ajo në të vërtetë dhe jo si duam ne të jetë”- përfundoi ai.
Ndëra Dr. Genti Kruja, Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër e vuri theksin mbi rëndësinë e përkufizimit të lirisë së individit duke trajtuar shembuj të shumtë Kurani dhe tradita profetike.
“Në fenë Islame nuk ka detyrim qoftë edhe në bindjen për ta pranuar ose jo atë por njëkohësisht çdo lloj lirie që të dëmton ty ose dëmton tjetrin duhet kufizuar.”- tha ai.
Bashkëbisedimi vazhdoi më tej me pjesëmarrjen e pedagogëve dhe studentëve të pranishëm, të cilët shprehën entuziazmin dhe ndanë mendimet e tyre në lidhje me çështje të ndryshme të lirisë së besimit dhe dialogut ndërfetar.