Mesazhi Universal i Muhammedit a.s

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin Bedër, organizuan simpoziumin me temë: “Mesazhi Universal i Muhamedit a.s”.

Programi u hap me lexim Kurani, nga drejtori i Medresesë së Tiranës z. Omer Çallësh.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, z. Skender Bruçaj, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se fjalët gjunjëzohen kur bëhet fjalë për profetin Muhamed a.s. dhe se ne mësuam nga ai se si duhet të jetë një mysliman i  mirë.

“Fjalët gjunjëzohen kur flasim për Profetin e fundit Hz. Muhamed a.s., por nuk ka më bukur kur i referohemi Kuranit famëlartë, ku krijuesi i gjithësisë thotë për të së ai ka ardhur si mëshirë për botërat. Në mësuam nga ai se si duhet të jetë një mysliman i mirë.  Mësuam se një mysliman i mirë është ai që kujdeset për familjen e tij, për të vobektët për jetimët dhe është shembull për njerëzit dhe mbi të gjitha është i vetëdijshëm për raportin që duhet të ketë me Krijuesin e Gjithësisë”, tha kryetari Bruçaj.

Ndërsa rektori i universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana u shpreh se kur sheh situatën në botë e kupton sa i rëndësishëm dhe i nevojshëm është mesazhi i Profetit Muhamed.

“Të gjithë  besimtarëve myslimanë iu bie një peshë shumë e madhe për të treguar në mënyrën më ideale, më të mirë  bukuritë e besimit islam që Allahu nëpërmjet  të dërguarit të tij na i bëri të ditura. ”, tha z. Gjana.

Edhe kryegjyshi i Bektashinjve z. Edmond Brahimaj vlerësoi figurën e lartë të Profetit Muhamed a.s.

Pas fjalëve përshëndetëse simpoziumi ka vijuar me trajtimin e temave.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Ali Zaimi, teksa referoi mbi kulturën e bashkëjetesës së Profetit me të tjerët, tha se, Profeti Muhamed a.s. erdhi me një mesazh gjithëpërfshirës dhe se çdo kush do të përfitonte nga normat universale që ai solli.

“Fryma e dialogut që Profetin e karakterizonte, së pari duhet parë si besnikëri ndaj Allahut, ndaj Kuranit dhe ndaj misionit të tij. Ai ndoqi përherë rrugën e pajtimit, të komunikimit, të marrëveshjes. Drejtësinë dhe paqen botërore feja që Profeti Muhamed a.s kumtoi e shikon si themelore”, theksoi z. Zaimi.

Nënkryetari Zaimi u shpreh gjithashtu se në procesin e dialogut me besimet e tjera Profeti a.s dhe ndjekësit e tij kanë ndjekur rrugën e fokusimit në çështjet që i bashkojnë.

Tema të tjera të trajtuara në simpozium ishin: “Muhamedi a.s. simbol i dhembshurisë dhe mëshirës” nga z. Elvis Naçi; “Porositë e Profetit Muhamed a.s. për kërkimin e dijes”, nga z. Sabaudin Jashari; “Muhamedi a.s. shembull për t’u ndjekur”, nga z. Muhamed Sytari.

Programi u zhvillua në ambientet e Universitetit Bedër, ku morën pjesë besimtarë të shumtë.