Më datë 29.09.2017 një grup studiuesish nga Frankfurti i Gjermanisë, të shoqëruar nga pedagogët: Prof. Dr. Tobias Specker, përgjegjës i "Katedrës së studimeve islame në teologjinë katolike" në Kolegjin St. George, Mag. Iur., Dr. Arhan Kardash, kryeredaktor i revistës "Fontäne" dhe profesor i studimeve islame në Universitetin Potsdam dhe studentë doktorature në fushën e teologjisë islame dhe të krishtere, vizituan Kolegjin Universitar “Bedër”, ku u pritën nga rektori i këtij institucioni Prof. Dr. Ferdinand Gjana, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, përgjegjësi i departamentit të Shkencave Islame, Dr. Genti Kruja, personeli akademik, si dhe studentë të këtij departamenti.
Profesor Gjana i informoi studiuesit rreth aktivitetit të KU “Bedër” dhe strategjitë e ndjekura gjatë këtyre viteve, sidomos në fushën akademike të dialogut ndërfetar. Gjatë vizitës në “Bedër” ata vizituan edhe ekspozitën “Harmonia ndërfetare në Shqipëri” dhe më pas Dr. Atakan Derelioglu, lektor në departamentin e Shkencave Islame i informoi të pranishmit mbi aktivitetin e departamentit në fjalë dhe kryesisht aktivitetet e dialogut ndërfetar të zhvilluara në Shqipëri midis shkollave të larta teologjike islame dhe të krishtera.