Klubi studentor “Mesazhi i Jetës” zhvilloi panelin e diskutimit me temë: “Kontributi i Prijësve Myslimanë në Shtetformimin Shqiptar”. Ky aktivitet vjen në kuadër të festave të 28-29 nëntorit. Fillimisht, të pranishmit u njohën me anë të një dokumentari mbi jetën e Haxhi Vehbi Dibrës. Më tej aktiviteti vijoi me tri kumtesa të mbajtura nga studentët e Departamentit të Shkencave Islame, ku Enxhi Hasmeta referoi mbi “Përhapjen e Islamit në trojet Shqiptare”; Denisa Rifatoska mbi “Personalitet të cilët patën ndikim në formimin e Shqipërisë” dhe Albi Hoxha rreth “Rolit të klerikëve myslimanë sot dhe nesër”.
Në këtë panel ishin të pranishëm gjithashtu edhe stafi akademik i Departamentit të Shkencave Islame, si dhe Drejtori i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Dr. Genti Kruja, i cili hodhi dritë mbi jetën shembullore të prijësve myslimanë dhe kontributin e tyre në shtetformimin shqiptar. Paneli u mbyll me prezantimin e një ekspozite me fotografi të disa prej personaliteteve dhe ngjarjeve më të rëndësishme të shtetit shqiptar.