Zëvendësrektori dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin Hëna e Plotë Bedër Prof. Dr. Ayhan Tekinesh së bashku me drejtues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë zhvilluan një vizitë pune Kosovë dhe Maqedoni. Delegacioni në përbërje të të cilit ishin nënkryetari i KMSH-së z. Skender Bruçaj, drejtori i Kulturës në KMSH z. Genti Kruja, si dhe shefi i Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër z. Adil Kutllu, u prit nga kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës Myftiu H. Naim Tërnava dhe stafi i tij.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë delegacioni zhvilloi një vizitë edhe në Fakultetin e Shkencave Islame, ku u prit nga Dekani Prof. Dr. Qazim Qazimi dhe stafi i universitetit. Të dyja palët ranë dakord për një bashkëpunim akademik me aktivitete të përbashkëta në të tre qendrat, Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Në fund të takimit dekani i Prishtinës i dorëzoi një certifikatë mirënjohje zv/rektorit të Universitetit Bedër Prof. Dr. Ajhan Tekinesh për bashkëpunimin e frytshëm të deritanishëm.
Pas vizitës në Prishtinë, delegacioni nga Shqipëria vijoi vizitën në Shkup, në Bashkësinë Fetare Islame të Maqedonisë, ku u pritën nga kreu i kësaj bashkësie H. Sulejman Rexhepi dhe sekretari i përgjithshëm z. Afrim Tahiri. Z. Rexhepi shprehu kënaqësinë për këtë vizitë dhe theksoi se dyert e bashkëpunimit në Shkup do të jenë gjithmonë të hapura dhe do të kenë përkrahjen më të lartë institucionale.
Më pas, delegacioni vizitoi Fakultetin e Shkencave Islame të Shkupit, ku u prit nga dekani Prof. Dr. Fahredin Edipi, si dhe stafi akademik. Z. Edipi ka shprehur gjithashtu gatishmërinë e tij për një bashkëpunim të ngushtë në fushën akademike midis fakultetit dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Universitetit Bedër.