Me dt. 22 maj 2018, departamenti i Shkencave Islame dhe klubi “Mesazhi i jetës” organizuan programin artistik me titull: “Rrugëtimi i ramazanit ndër ne”, ku studentët, nëpërmjet kumtesave të ndryshme si dhe fjalës artistike përcollën rëndësinë dhe vlerën e këtij muaji të madhërueshëm.
Pas hapjes së programit me lexim Kurani nga studenti Abdullah Ziba, i pranishëm në aktivitet, nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Lauren Luli në fjalën e tij përshëndetëse, iu drejtua të pranishmëve duke thënë se muaji i agjërimit është muaji kur njeriut i bëhet thirrje që veprimtaritë e tij të përditshme t’i kalojnë nëpërmjet një kritike të atillë sa ta bëjnë njeriun të fitojë njohuri më reale të qëllimit dhe jetës së tij, ta përafrojnë atë sa më shumë me origjinën e tij shpirtërore.
Nga ana tjetër, Dr. Genti Kruja, përgjegjës i departamentit të Shkencave Islame, bëri një retrospektivë sesi ndërsa sot kemi mundësinë ta ndajmë këtë begati të Zotit në shoqërinë tonë, me kohën kur sistemi komunist kishte ndaluar besimin dhe ritet fetare në Shqipëri. Ai në fjalën e tij nuk la pa përmendur shembullin e H. Sabri Koçit, i cili për 20 vjet në burgun e rendit ateist nuk e la agjërimin për asnjë moment, edhe pse në kushte ekstreme të mbijetesës.
Aktiviteti vijoi më pas me kumtesa, ilahi e poezi të sjella bukur për të pranishmit nga studentët e këtij klubi. Studentja Sonila Habili ndau me publikun fjalët e një njeriu që e kishte përjetuar fundin e jetës së tij me agjërim.
“Aspekti shpirtëror dhe intelektual i agjërimit”, ishte kumtesa me të cilën studentja Zerina Kupe, i hodhi një vështrim praktikës së agjërimit për gjatë historisë njerëzore tek popujt dhe fetë më të vjetra. Poezia “O i mbuluar” kushtuar profetit Muhamed (a.s.) u recitua nga studentja Suela Mehmeti. Gjithashtu pjesë e këtij aktiviteti ishin edhe klubi i muzikës, ku u kënduan disa ilahi rreth muajit të bekuar të Ramazanit. Më pas studentja Enxhi Hasmeta recitoi një poezi kushtuar Hz. Muhamedit (a.s).