Klubi "Mesazhi i jetës" dhe Shtëpia Botuese "Thesari" në bashkëpunim me departamentin e Shkencave Islame, më 9 maj 2018, organizuan aktivitetin e promovimit të librit më të ri me autor studentin e këtij departamenti Kushtrim Reshiti, në ambientet e bibliotekës së Kolegjit Universitar “Bedër”.
Në aktivitet ishin të pranishëm Prof. Asoc. Rahim Ombashi, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Dr. Genti Kruja, përgjegjës i departamentit të Shkencave Islame, z. Miftar Ajdini, mësues i gjuhës arabe në medresenë e Prizrenit, poeti Ibrahim Skenderi, kryetar i grupit letrar “Luigj Gurakuqi”, drejtori i Sh.B. "Thesari" z. Demir Reshiti, familjarë të autorit, si dhe pedagogë dhe studentë të departamentit të Shkencave Islame “Bedër”.
Dr. Genti Kruja në fjalën e tij përshëndetëse përgëzoi studentin Kushtrim Reshiti për veprën e tij, duke uruar që kjo përmbledhje poetike me motive islame të jetë një shtysë edhe për studentët e tjerë për të kontribuar në përcjelljen e Islamit në trevat shqiptare, gjithnjë në linjën e të parëve tanë. Më pas z. Miftar Ajdini foli rreth misionit fisnik të Profetit Muhammed (a.s.), si dhe përgëzoi studentin për punën dhe përpjekjen e tij në realizimin e kësaj vepre. Poeti Ibrahim Skenderi foli për aktivitetin e Sh.B. "Thesari" dhe grupit letrar “Luigj Gurakuqi” në promovimin e krijimtarive letrare, veçanërisht të të rinjve dhe për mbështetjen që Sh.B. "Thesari" ka dhënë dhe vazhdon të japë në botimin e veprave të ndryshme.
Prof. Asoc. Rahim Ombashi përgëzoi studentin, duke i uruar sukses në rrugëtimin e tij të dijes dhe në realizimin e sa më shumë veprave, të cilat do të kontribuojnë në edukimin e shoqërisë.
Gjatë aktivitetit studentët e departamentit të Shkencave Islame Sefer Vrana, Aristil Toska dhe Edon Krasniqi lexuan poezi nga libri “Pishtari i njerëzimit”. Aktivitetin e ka përshëndetur nga SHBA-ja edhe ish-mësuesi dhe autori i parathënies së këtij libri imam Gazmend Aga nëpërmjet një video-mesazhi.
Në fund fjalën e mori autori i librit, i cili është njëkohësisht edhe djalë dëshmori dhe që vjen nga Kosova, si student i vitit të dytë në departamentin e Shkencave Islame. Ai falënderoi të gjithë organizatorët për mbështetjen e tyre në promovimin e librit.