Departamenti i Shkencave Islame dhe Klubi “Mesazhi i Jetës”, në kuadër të ciklit të seminareve “Kur librat flasin”, ku ftohen studiues, akademikë dhe autorë të ndryshëm për të folur rreth një libri të caktuar, kanë organizuar aktivitetin e radhës ditën e sotme me dt. 23 mars 2017, si një bashkëbisedim rreth librit “Ç’urdhnon Kur’ani” , me autor Haxhi Vehbi Dibrën. Ky libër, botim i KMSH-së vjen si përmbledhje e artikujve, kryesisht pjesëza tefsiri (komenti) të Kur’anit, si dhe shkrime dhe deklarata të ndryshme të kryetarit të parë të KMSH-së, H. Vehbi Dibrës. Ai ishte një prej penave më të shquara të dijetarëve myslimanë shqiptarë dhe këto shkrime janë botuar në vitet ‘20-‘30 të shek. XX në revistën prestigjioze të kohës “Zani i Naltë”.
I ftuar për të folur dhe diskutuar rreth kësaj vepre ishte nënkryetari i KMSH-së dhe njëkohësisht pedagog në Bedër, z. Gazmend Aga.
Aktiviteti fillimisht u hap nga kryetari i klubit “Mesazhi i Jetës”, studenti Haki Sahitaj, ku falënderoi pedagogët dhe studentët për pjesëmarrjen dhe më pas fjalën e mori Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, i cili i njohu studentët me autorin e këtij libri dhe ciklin e seminareve, që do të vazhdojnë, si një platformë promovimesh dhe njohjesh me studimet e ndryshme të dijetarëve myslimanë shqiptarë, duke i zhvilluar këto aktivitete, si panele bashkëbisedimi dhe diskutimi rreth veprave dhe librave të ndryshëm të prijësve më të shquar të Islamit në Shqipëri.
Pas përshëndetjeve, studenti Armir Jangulli foli rreth jetës dhe veprës së Haxhi Vehbi Dibrës, ku spikat veprimtaria e tij e gjerë në shumë fusha shërbimi, që nga myfti i Dibrës, Kryetari i parë i Kuvendit në Vlorë më 1912, firmëtar i pavarësisë, e deri si Myfti i Përgjithshëm e më pas kryetari parë i KMSH-së, dalë nga Kongresi i I-rë Mysliman Shqiptar më 1923.
Më pas, nënkryetari i KMSH-së z. Gazmend Aga ka bërë një analizë të hollësishme të librit, duke e vlerësuar H. Vehbi Dibrën dhe mësimet e tij, si një model edhe për ligjëratat e ditëve të sotme. Ai ka vënë theksin gjithashtu mbi nivelin e lartë teologjik dhe intelektual të autorit, i cili i ka pasuruar këto ligjërata me argumente të shumta kur’anore dhe hadithe profetike. Z. Aga ndër të tjera vuri theksin edhe mbi metodologjinë dhe argumentet e shumta që ka përdorur autori.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ayhan Tekines, stafi akademik i departamentit të Shkencave Islame dhe studentë të këtij departamenti.
Ky cikël seminaresh do të vazhdojë edhe gjatë javëve në vijim me të tjerë të ftuar, të cilët do t’i njohin studentët me tituj të shumtë librave të autorëve të ndryshëm.