Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër organizoi simpoziumin me temë: “Gruaja Myslimane në Shoqërinë Moderne”. Ky aktivitet u përshëndet nga z. Gazmend Aga, nënkryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame, si dhe znj. Fatma Karaj, Përgjegjëse e Zyrës së Gruas pranë KMSH-së. Të pranishëm në këtë program ishin rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ayhan Tekines, pedagogë, studentë, si dhe të ftuar të tjerë.
Simpoziumi kishte në fokus të shpaloste vendin dhe rolin e gruas myslimane në shoqërinë e ditëve të sotme, duke treguar dhe një herë të drejtat dhe mundësitë, që Islami i njeh femrës.
Programi u hap me këndim Kur’ani nga studenti i Shkencave Islame Abdullah Ziba dhe më pas u transmetua dokumentari “Nëna, një heroinë dhembshurie”.
Në panelin e moderuar nga studentja e vitit të tretë Enxhi Hasmeta, referuan tre studentë nga Departamenti i Shkencave Islame me temat e tyre specifike mbi rolin dhe vendin e gruas myslimane në ditët tona, siç ishin: Zamira Merja me temë: “Roli dhe te drejtat e gruas ne Islam”, Haki Sahitaj me temë: “Gruaja myslimane shqiptare në shoqërinë moderne” dhe Zerina Kupe me temë: “Roli i nënës ne shoqëri”.
Ky simpozium u shoqërua gjithashtu dhe me recitimin e një poezie nga studenti Sefer Vrana dhe interpretimi i një ilahie nga nxënësja Era Domi.
Aktiviteti u mbyll me një koktejl të organizuar me këtë rast për të pranishmit që merrnin pjesë.