Ditën e enjte me datë 11 maj 2017 është zhvilluar simpoziumi ndërfetar “Gruaja në komunitet fetare dhe në shoqërinë shqiptare sot”, organizuar si një aktivitet i përbashkët i shkollave teologjike, islame e të krishtera dhe pikërisht nga Departamenti i Shkencave Islame në Universitetin Bedër, Akademia Teologjike Orthodhokse, Durrës dhe Instituti Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian, Shkodër, mbajtur në ambientet e kësaj të fundit.
Simpoziumi është përshëndetur nga Drejtori i Institutit Teologjik Katolik Atë Mario Imperatori, ku më pas tri përfaqësuese të komuniteteve fetare kanë mbajtur fjalimet e tyre rreth temës. Përkatësisht “Gruaja në komunitete fetare dhe në shoqërinë shqiptare sot” nga znj. Violeta Plepi, “Gruaja sipas mësimit të Kishës Katolike e brenda komunitetit katolik në Shqipëri” nga Mt. Mimoza Jaku dhe “Roli i gruas ne Islam dhe kontributi i saj në shoqërinë e sotme shqiptare” nga znj. Fatma Karaj, Përgjegjëse e Zyrës së Gruas pranë KMSH-së.
Pas referimeve është zhvilluar edhe një seancë me pyetje dhe përgjigje nga studentët dhe stafi i pranishëm, drejtuar referuesve të këtij simpoziumi.
Të pranishëm në këtë simpozium nga Kolegji Universitar Bedër ishin Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ayhan Tekinesh, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, si dhe anëtarë të stafit akademik së bashku më studentët e vitit të dytë dhe të tretë të Shkencave Islame.
Krahas simpoziumit, drejtues të lartë akademikë të këtyre institucioneve arsimore kanë zhvilluar edhe një takim pune, ku kanë diskutuar për rëndësinë e këtyre aktiviteteve të përbashkëta për të forcuar kështu bashkëpunimin dhe frymën e dialogut, si një rrugë e sigurt drejt së ardhmes, rëndësinë e familjes, si një institucion i shenjtë dhe i patjetërsueshëm, si dhe tema të tjera.
Krahas takimit ndërmjet zyrtarëve të këtyre institucioneve, studentët kanë zhvilluar një bashkëbisedim, ku kanë folur për eksperiencat e tyre rreth studimit në teologjinë përkatëse, shkaqet dhe rrethanat, që i shtynë ata që të studionin këtë degë dhe synimet, që kanë ata për të ardhmen.
Gjatë kësaj dite me disa aktivitete në sferën akademike, është zhvilluar edhe ndeshja e parë miqësore në futboll (për djem) dhe volejboll (për vajza), ndërmjet studentëve për teologji islame, ortodokse e katolike, si një mesazh i fortë dhe modele shembull konkret për harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në Shqipëri.
Në përfundim të aktiviteteve, stafi akademik dhe studentët e Departamentit të Shkencave Islame, Bedër kanë vizituar edhe xhaminë e Plumbit, ku janë pritur nga imami i kësaj xhamie z. Mit’hat Myftia, i cili i ka njohur me historikun e saj.