Një delegacion nga Kolegji Universitar Bedër dhe KMSH ka zhvilluar ditën e martë me dt. 28 mars 2017 një vizitë në disa institucione të Bashkësisë Islame të Mali të Zi.
Në këtë vizitë merrnin pjesë Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, Drejtori i Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Agron Hoxha, si dhe z. Hysni Skura, asistent lektor dhe z. Sefer Vrana, student në departamentin e Shkencave Islame.
Gjatë kësaj vizite ata kanë zhvilluar disa takime me drejtues të Bashkësisë Islame, si z. Behlul Kanaqi, zv/kryetar i Bashkësisë Islame në Malin e Zi, z. Omer Kajoshaj, drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë, Kryeimamin e Bashkësisë Islame Ulqin z. Ali Bardhi, drejtues të Medresesë “Mehmed Fatih” në Podgoricë (Tuz), znj. Brunilda Brasha Kajoshaj drejtoreshë e Medresesë së vajzave, z. Amer Sukurica, zv/drejtor i Medresesë së djemve, si dhe anëtarë të tjerë të stafit pedagogjik të medresesë dhe stafit të myftinisë Ulqin.
Delegacioni ka vizituar ambientet e Medresesë “Mehmet Fatih” për djem dhe për vajza, Qendrën Kulturore “Horizonti” në Tuz, ndërsa më pas ata kanë vizituar Qendrën Islame të Tivarit dhe kompleksin e saj. Pas këtyre vizitave ata i janë drejtuar Ulqinit, ku kanë zhvilluar një vizitë edhe në myftininë e këtij qyteti me tradita të lashta shqiptare dhe islame. Në pritjen e organizuar nga Kryeimami i Ulqinit z. Ali Bardhi merrnin pjesë edhe z. Agim Dragovoja dhe z. Astrit Nikaj.
Gjatë këtyre takimeve të dy palët u shprehën të gatshëm për bashkëpunime të ndryshme në fushën e zhvillimit dhe përparimit të kulturës islame në trojet tona, si dhe shkëmbimin e eksperiencave ndërinstitucionale.
Interesi i dyanshëm midis institucioneve të dy vendeve, aktivitetet arsimore, edukative dhe kulturore, si programet e studimit në Bedër, ishin disa nga pikat e këtyre takimeve dhe bashkëbisedimeve vëllazërore.