Në kuadër të "Javës së arkivave të hapura", organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), më dt. 22 dhjetor 2017, departamenti i Shkencave Islame “Bedër” zhvilloi një vizitë me studentë dhe anëtarë të ekipit akademik të këtij departamenti në ambientet e Arkivit Qendror të Shtetit. Gjatë kësaj vizite studentë dhe pedagogë u njohën me proceset e punës që kryhen në Arkivin Qendror Shtetëror (AQSH), sektorin e vendruajtjes, përpunimit, mikrofilmimit dhe restaurimit të dokumenteve arkivore. Ata u njohën gjithashtu nga afër edhe me kodikët dhe fermanët, mes të cilëve edhe Kodikun e Beratit dhe fermanin drejtuar Iljaz bej Mirahorit, që janë pjesë integrale e trashëgimisë sonë kulturore kombëtare por që janë shfaqur rrallë herë në publik. Një vizitë e veçantë ishte dhe këqyrja në zyrën e digjitalizimit të Fondit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, falë bashkëpunimit midis KMSH-së dhe AQSH-së, projekt, i cili ka nisur 2 vjet më parë. Studentët e departamentit të Shkencave Islame shoqëroheshin nga përgjegjësi i këtij departamenti Dr. Genti Kruja dhe pedagogu Dr. Adil Kutlu.