Në kuadër të "Javës së Arkivave të Hapura", organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), Departamenti i Shkencave Islame, Bedër zhvilloi një vizitë me studentë dhe anëtarë të stafit akademik të këtij departamenti në ambientet e Arkivit Qendror të Shtetit. Gjatë kësaj vizite studentë dhe pedagogë u njohën me proceset e punës që kryhen në Arkivin Qendror Shtetëror (AQSH), sektorin e vendruajtjes, përpunimit, mikrofilmimit dhe restaurimit të dokumenteve arkivore. Ata u njohën gjithashtu nga afër edhe me kodikët dhe fermanët, mes të cilëve edhe Kodikun e Beratit dhe fermanin drejtuar Iljaz bej Mirahorit, që përbëjnë trashëgiminë më të vyer tonë Kulturore Kombëtare dhe që janë shfaqur rrallë herë në publik. Një vizitë e veçantë ishte dhe vizita në zyrën e digjitalizimit të Fondit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë falë bashkëpunimit midis KMSH-së dhe AQSH-së, projekt, i cili ka nisur 2 vjet më parë. Studentët e Departamentit të Shkencave Islame shoqëroheshin nga Përgjegjësi i këtij Departamenti Dr. Genti Kruja dhe pedagogu Dr. Adil Kutlu.