Më dt. 22 qershor 2018, një grup studentësh nga viti i tretë në Shkencat Islame “Bedër”, pas mbrojtjes me sukses të tezave të ciklit të parë “Bachelor” kanë zhvilluar një vizitë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, të shoqëruar dhe nga pedagogu dhe drejtuesi i këtij departamenti Dr. Genti Kruja. Ata fillimisht janë pritur nga drejtues të KMSH-së dhe njëkohësisht lektorë të tyre: pedagogu Skender Bruçaj dhe pedagogu Dorian Demetja. Kryetari i KMSH-së z. Bruçaj foli me ta rreth përgjegjësive që kanë sot si studentë në pragdiplomimi dhe nesër si kuadro të së ardhmes në institucione të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ndërsa më pas drejtori i Kulturës dhe Arsimit z. Demetja i njohu ata me ambientet e institucionit, redaksinë e botimeve dhe studiot e radio “Spektrum”. Studentët vijnë jo vetëm nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por dhe nga Kosova, Maqedonia dhe Gjermania, kësisoj që vizita të tilla përcjellin emocione të bukura.