Drejtues dhe përfaqësues të Bashkësive Islame Shqiptare të Zvicrës dhe Gjermanisë kanë zhvilluar më 27 janar 2018 një vizitë në Kolegjin Universitar “Bedër”. Delegacioni përbëhej nga Hafiz Mehas Alija, kryetari i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër, Hoxhë Zulhajrat Fejzullahi, imam i Xhamisë së Shqiptarëve në Hamburg, Gjermani, imam Ridvan Kurtishi nga Frankfurti dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Fillimisht mirëseardhjen ua ka uruar rektori i KU “Bedër” Prof. Dr. Ferdinand Gjana Gjana, i cili ka falënderuar të ftuarit për vizitën. Më pas delegacioni ka zhvilluar një takim dhe bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë të departamentit të Shkencave Islame. Gjatë këtij takimi ata janë përshëndetur nga dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Rahim Ombashi dhe përgjegjësi i departamentit Dr. Genti Kruja. Më pas lektori i këtij departamenti PhD. Cand. Hysni Skura ka bërë një prezantim të departamentit ndër vite. Të pranishëm gjatë këtij takimi ishin drejtori i Fondacionit “H. Ali Korça” z. Dritan Laçi dhe drejtori i Kulturës dhe Arsimit në KMSH z. Dorian Demetja.
Delegacioni i diasporës gjendej për një vizitë disaditore në Shqipëri me ftesë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, gjatë së cilës pjesëtarët e tij kanë marrë pjesë në Konferencën III “Roli i imamëve në shoqërinë moderne”, organizuar nga KMSH dhe KU “Bedër”.