Pedagogë të Kolegjit Universitar Bedër referojnë në punimet e konferencës shkencore “25 vite Drita Islame”, konferencë kjo e organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me rastin e 25 vjetorit të themelimit të kësaj reviste.
E zhvilluar në ambientet e “International Hotel Tirana”, konferenca mblodhi sëbashku përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare nga vendi e rajoni, akademikë, studiues, pedagogë, klerikë të shumtë etj. Veçojmë këtu pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, Kryemyftiu i Kosovës Hafiz Naim Tërnava, Myftiu i Gostivarit Hafiz Shaqir Fetahu, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve Znj. Loreta Aliko etj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti, z. Bujar Nishani, vlerësoi kontributin e lartë të kësaj reviste në edukimin fetar e kombëtar të brezave, që nga themelimi i saj e deri në ditët e sotme.
“Ka mbi 25 vjet që dielli u shfaq rishtazi mbi mjegullën që ndenji aq gjatë mbi vendin, tokën, njerëzit, shtëpitë, shpirtrat dhe besimet tona. Si toka në dritën e diellit ndriçoi edhe “Drita Islame”, në jetët tona” – tha ai.
Më tej, ai e dekoroi revistën me medaljen e arit “Naim Frashëri” duke i’a dorëzuar këtë çmim, Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Skender Bruçaj.
Duke përgëzuar të gjithë ata që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut në vazhdimësinë e kësaj reviste, z. Bruçaj, u shpreh i sigurtë dhe entuziast në udhëzimet, standardet e larta të botimeve dhe në misionin për një të ardhme akoma më të ndritur të revistës.
“Në këtë përvjetor të themelimit të saj, revista “Drita Islame” vjen me dëshirën për të hyrë në shtëpinë e çdo myslimani, dhe pse jo të çdo shqiptari, që do të mësojë sadopak për myslimanët, jetën dhe vizionin e tyre”- përfundoi ai.
Punimet e konferencës vazhduan më tej në sesione të ndryshme, ku vlen për tu theksuar larmishmëria e tematikave të sjella në fokus nga referuesit e shumtë, ndër ta, përmendim: Rektorin e Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Dekanin e Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit Dr. Ramadan Çipuri, Dr. Agron Tufa etj.
Në fund të punimeve të konferencës, përfaqësues të Komunitetit Mysliman, shpërndanë certifikata mirënjohje për kontribuuesit e revistës ndër vite.