Zhvillohet programi artistik "Lajmëtari i fundit i së fshehtës"

Me dt. 6 dhjetor 2017, departamenti i Shkencave Islame në bashkëpunim me klubet studentore: “Oaze shprese”, “Mesazhi i jetës” dhe “Klubi i muzikës”, organizuan një aktivitet në kujtim të lindjes së Profetit Muhammed (a.s.). Programi artistik “Lajmëtari i fundit i së fshehtës” paraqiti një sërë rubrikash artistike, si lexim Kur’ani, këngë, poezi, pjesë teatrale etj.

Aktiviteti u hap me leximin e një pjese të Kuranit fisnik nga studenti i Shkencave Islame Fatijon Shemshedini, që vjen nga Maqedonia. Më pas Msc. Hekuran Uzuni, pedagog pranë departamentit të Shkencave Islame, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh:                                              

 

“Dija është një nga trashëgimitë më të vlefshme që na kanë lënë profetët, dhe ne si kërkues të asaj dije duhet t’i japim hakun.”

 

Nën moderimin e studentëve Sefer Vrana dhe Enxhi Hasmeta, programi vazhdoi me interpretimin e disa ilahive, poezive e pjesëve teatrale nga studentët e Shkencave Islame, që pasqyronin kohën kur ka jetuar Profeti Muhamed (a.s.) dhe përcollën mesazhe shprese e besimi për të pranishmit.

I ftuar në program ishte edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Lauren Luli, i cili falënderoi organizatorët dhe të pranishmit si dhe mbajti një fjalë të rastit, ndërsa dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, duke falënderuar organizatorët për realizimin e këtij programi, theksoi se gëzime të tilla të bëjnë të ndihesh më i plotësuar shpirtërisht.

Në këtë aktivitet merrnin pjesë dekani i studentëve, z. Kasim Ilhan, përgjegjësi i departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, drejtues të departamenteve të tjera si: Dr. Erlis Çela e Dr. Isa Erbas, si dhe pedagogë e studentë të shumtë nga KU “Bedër”.

Programi u mbyll me një interpretim të disa pjesëve nga Mevludi interpretuar nga Msc. Veton Tulla dhe studenti Abdullah Ziba.

Pas aktivitetit, studentët e departamentit të Shkencave Islame organizuan një panair ushqimesh, të ardhurat e të cilit nga shitja e tyre shkuan në ndihmë të familjeve të prekura nga përmbytjet.