Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me klubet studentore “Mesazhi i Jetës” dhe ai i “Artit dhe Muzikës” organizuan sot më 9 qershor 2017, programin artistik me titull: “Ramazani mes nesh”.
Programi u çel me këndim Kur’ani nga studenti Abdullah Ziba dhe më pas vijoi me një dokumentar të shkurtër, prodhim i KMSH-së lidhur me muajin e bekuar të Ramazanit. Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame mbajti fjalën e tij përshëndetëse, i cili falënderoi studentët e angazhuar në këtë organizim për t’ia lënë fjalën më pas nënkryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Bujar Spahiu, i cili foli rreth vlerës dhe dobive, si shpirtërore ashtu dhe fizike të agjërimit.
Më pas aktiviteti vijoi me një poezi kushtuar Profetit Muhamed (a.s.), e cila u recitua nga studentja Hafsa Destani. Gjithashtu programi ishte i shoqëruar edhe me disa ilahi të kënduara nga studentët Abdullah Ziba, Fatjon Shemshedini dhe Elton Cara. Në mbyllje të programit studentët e shkencave Islame zhvilluan një aktrim rreth atmosferës së Ramazanit në familjet tona, energjitë pozitive dhe forcën që përcjell tek ne agjërimi, duke i dhënë audiencës një mesazh mbi vlerën e këtij muaji.
Të pranishëm në këtë program ishin Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, Drejtori i Medias dhe Kulturës pranë KMSH-së z. Agron Hoxha, dekani i studentëve z. Kasim Ilhan, anëtarë të stafit akademik dhe studentë.