Zhvillohet Seminari VI "Kur librat flasin"

Me dt. 7 shkurt 2018, departamenti i Shkencave Islame në bashkëpunim me klubin studentor “Mesazhi i jetës” në kuadër të vazhdimit të ciklit të seminareve “Kur librat flasin”, zhvilluan takimin e gjashtë, ku kanë diskutuar rreth veprës “Tri elementet e strukturës së fesë islame” me të ftuar z. Xhemal Balla dhe dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi.

Gjatë aktivitetit, nën moderimin e studentit Abdullah Bulku, Prof. Asoc. Dr. Rrahim Ombashi bëri një prezantim të veprës si dhe të korpusis fetar, kulturor e shkencor që do mund të gjenim në këtë vepër. Ndërkohë që i ftuari i këtij aktiviteti, z. Xhemal Balla, bëri një analizë të përgjithshme të veprës si dhe foli më gjerë rreth tri elementeve të fesë islame, siç janë Islami, Imani dhe Ihsani.

Ai foli për shkaqet që e kishin shtyrë deri në realizimin e kësaj vepre dhe nevojën e shoqërisë sonë për një vepër të tillë. Libri është i ndërthurur me pasuri argumentesh sa nga burimet bazë të fesë (Kurani dhe Suneti), ashtu edhe nga shkenca dhe historia. Metoda me të cilën autori e prezantoi veprën është e atillë sa libri nuk është synuar vetëm në përmbushjen e nevojave të besimtarve myslimanë, por ai u drejtohet edhe atyre që duan ta studiojnë apo të njihen me argumentet e besimit islam.

Ndërkohë që z. Balla ftoi të gjithë studentët e departamentit të Shkencave Islame të shfrytëzojnë materialet e këtij libri, por edhe të zgjerojnë hulumtimet e tyre drejt kërkimeve shkencore në të ardhmen.