Me rastin e 27-vjetorit të zhvillimit të ceremonisë së parë islame në vigjilje së rënies së sistemit komunist në vendin tonë, departamenti i Shkencave Islame, organizoi një aktivitet kushtuar kësaj dite të rëndësishme historike.
Data 16 nëntor e vitit 1990, shënon një ngjarje me rëndësi të veçantë për të gjithë besimtarët shqiptarë, si rihapja e xhamisë së parë pas shumë vitesh privimi nga liria e besimit. Në këtë ditë H. Hafiz Sabri Koçi mbajti fjalimin e parë në faljen e xhumasë, para mijëra të pranishmëve, duke e kthyer në një datë historike për mbarë shqiptarët.
Ky aktivitet përbëhej nga simpoziumi me temë, “Liria e besimit, e drejtë universale”, ku referuan studentë të departamentit të Shkencave Islame. Veprimtaria u ndoq nga shfaqja e dokumentarit “H. Hafiz Sabri Koçi, pishtar i lirisë së besimit”.
Aktiviteti i moderuar nga studentja e Shkencave Islame, Zerina Kupe u hap me këndim Kur’ani nga studenti Abdullah Ziba. Më pas përshëndeti dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, i cili i mëshoi idesë se kjo është një ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë, sepse falë asaj dite u hap porta drejt besimit.
I pranishëm në aktivitetin e organizuar ishte edhe nënkryetari i KMSH-së z. Lauren Luli, i cili gjatë fjalës së tij përshëndetëse theksoi se falë kontributit të H. Hafiz Sabri Koçit në këtë ditë, u hapën dyert e shpirtit, dyert e gëzimit, që njerëzve t’u kthehej liria e besimit.
Pas tyre vijuan kumtesat e simpoziumit që u mbajtën nga studentët e departamentit të Shkencave Islame, Sonila Habili dhe Haki Sahitaj, të cilët referuan në lidhje me jetën dhe veprën e H. Hafiz Sabri Koçit si dhe konceptet e tij rreth lirisë së besimit. Në përfundim të aktivitetit Dr. Genti Kruja, përgjegjës i departamentit të Shkencave Islame dhe Msc. Veton Tulla, lektor në këtë departament, shpërndanë certifikatat e pjesëmarrjes për referuesit e këtij simpoziumi.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm nënkryetari i KMSH-së H. Lauren Luli, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, lektorë dhe studentë të departamentit të Shkencave Islame, Bedër.