Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër” ka zhvilluar sot më 3 maj 2017 simpoziumin shkencor “Kur’ani dhe Shkenca”. Aktiviteti fillimisht është hapur me një dokumentar të shkurtër lidhur me temën e simpoziumit.
Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja njëkohësisht edhe moderator i simpoziumit mbajti fjalën përshëndetëse për t’i lënë më pas fjalën të ftuarve, të cilët ishin dy mjekë Prim. Med. Dr. Sc. Ali F. Iljazi dhe Dr. Erion Sukaj.
Dr. Sukaj foli rreth fazave dhe mrekullive në krijimin e njeriut sipas Kur’anit, Sunnetit (traditës profetike) dhe mjekësisë moderne.
Më pas programi vijoi, me të ftuarin special në këtë simpozium, Prof. Ali Iljazin, i cili foli më gjerësisht rreth krijimit të njeriut, insekteve, fakteve shkencore rreth astronomisë, bazuar në shkencën bashkëkohore dhe shumë tema të tjera. Ai i dha një rëndësi të veçantë nevojës për besim, si dhe faktit që besimi është një nur (dritë) në zemër, e cila e ndriçon rrugën e besimtarit në çdo moment. Dr. Iljazi qëndroi fort mbi faktin se shkenca nuk e largon aspak njeriun nga besimi, por përkundrazi sa më shumë ajo përparon e afron njeriun me Krijuesin e tij.
Në përfundim të simpoziumit pati edhe një seancë pyetje përgjigje ku studentët drejtuan pyetjet e tyre referuesve të sipërpërmendur.
Pas përfundimit të simpoziumit, të ftuarit u pritën nga rektori i Kolegjit Universitar “Bedër” Prof. Dr. Ferdinand Gjana, dekani i fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja si dhe anëtarë të tjerë të stafit akademik.