Më datë 20 dhjetor 2017, departamenti i Shkencave Islame pranë KU “Bedër” organizoi simpoziumin me temë “Islami në Ballkan”. Si fillim simpoziumin e ka përshëndetur dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, i cili bëri një paraqitje të rolit të Islamit dhe dijetarëve myslimanë shqiptarë ndër shekuj në trojet shqiptare për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.
Më pas kanë referuar në tri gjuhë: shqip, anglisht dhe turqisht studentë të departamentit të Shkencave Islame të ardhur nga disa vende të ndryshme, si: Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia, të cilët kanë folur për historikun e Islamit ndër shekuj në disa vende të Ballkanit. Studenti Hamza Gürsoy prezantoi në gjuhën angleze “Islamin në Shqipëri”. Më pas edhe studentët e tjerë prezantuan punimet e tyre. Kështu Engjëll Hoxha foli rreth Islamit në Maqedoni, Enes Malik Yağlı rreth Islamit në Bosnje-Hercegovinë, Hafsa Destani rreth Islamit në Rumani dhe në fund Osman Batur Gökçe rreth Islamit në Kosovë. Larmia e disa gjuhëve të kumtesave të mbajtura, kryesisht nga studentët, që vijnë nga jashtë Shqipërisë, i dhanë një qasje të veçantë këtij aktiviteti. Në mbyllje të këtij simpoziumi kanë përshëndetur Dr. Xhemal el-Seferti, si dhe Dr. Genti Kruja, përgjegjës i departamentit të Shkencave Islame, i cili ka përgëzuar studentët për këtë simpozium të organizuar dhe për përgatitjen e kumtesave shkencore nga ana e tyre. Në këtë aktivitet morën pjesë pedagogë dhe studentë të Shkencave Islame “Bedër”.