Studentët e vitit të tretë në Departamentin e Shkencave Islame pranë Kolegjit Universitar Bedër, të shoqëruar nga pedagogu Hysni Skura zhvilluan një vizitë pranë muzeut “Shtëpia e Gjetheve”. Ata kishin mundësinë të shikonin nga afër një tablo të jetës së kufizuar që kishin shqiptarët përgjatë periudhës së komunizmit. Ishte një vizitë mbresëlënëse e cila dha një mesazh shumë të fortë: historia nëse harrohet është e destinuar që të përsëritet.
Departamenti i Shkencave Islame në bashkëpunim me klubin studentor “Mesazhi i Jetës” në kuadër të vazhdimit të ciklit të seminareve “Kur librat flasin”, kanë zhvilluar ditën e sotme me dt. 17 janar 2018, takimin e katërt, ku kanë diskutuar rreth veprës së Kolanës “Zani i Naltë” (1923-1939) me të ftuar Dekanin e Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi. Gjatë aktivitetit, nën moderimin e kryetarit të klubit “Mesazhi i Jetës”, studentit Haki Sahitaj, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja dhe profesor Ombashi bashkëbiseduan me studentët rreth veprës Kolana “Zani i Naltë”. Dr. Genti Kruja paraqiti një përmbledhje të përgjithshme të historikut të revistës, artikujve të fushave të ndryshme të Shkencave Islame dhe Sociale. Ai foli gjithashtu për penat e shquara të kësaj reviste nga dijetarët myslimanë shqiptarë të viteve 20-30 te shek. XX, si dhe për mesazhet akoma aktuale, që përcjell edhe sot pas 95 vitesh nga themelimi i saj. Ndërkohë që i ftuari special i këtij aktiviteti Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, bëri një analizë të përmbajtjeve të revistës, duke theksuar rëndësinë, që ajo kishte dhe ka për komunitetin mysliman të shqiptarëve në të gjitha trojet dhe në veçanti për vlerat e ruajtura të Gjuhës Shqipe. Ndërkohë ai ftoi të gjithë studentët e Departamentit të Shkencave Islame të shfrytëzojnë materialet e revistave “Zani i Naltë” për të mbështetur kërkimet e tyre shkencore në të ardhmen. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm pedagogë dhe studentë të Departamentit të Shkencave Islame. Cikli i seminareve “Kur librat flasin” do të vazhdojë gjatë javëve në vijim me të ftuar të tjerë, të cilët do të analizojnë dhe bashkëbisedojnë me studentët për një sërë veprash të autorëve të ndryshëm.
Në kuadër të "Javës së Arkivave të Hapura", organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), Departamenti i Shkencave Islame, Bedër zhvilloi një vizitë me studentë dhe anëtarë të stafit akademik të këtij departamenti në ambientet e Arkivit Qendror të Shtetit. Gjatë kësaj vizite studentë dhe pedagogë u njohën me proceset e punës që kryhen në Arkivin Qendror Shtetëror (AQSH), sektorin e vendruajtjes, përpunimit, mikrofilmimit dhe restaurimit të dokumenteve arkivore. Ata u njohën gjithashtu nga afër edhe me kodikët dhe fermanët, mes të cilëve edhe Kodikun e Beratit dhe fermanin drejtuar Iljaz bej Mirahorit, që përbëjnë trashëgiminë më të vyer tonë Kulturore Kombëtare dhe që janë shfaqur rrallë herë në publik. Një vizitë e veçantë ishte dhe vizita në zyrën e digjitalizimit të Fondit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë falë bashkëpunimit midis KMSH-së dhe AQSH-së, projekt, i cili ka nisur 2 vjet më parë. Studentët e Departamentit të Shkencave Islame shoqëroheshin nga Përgjegjësi i këtij Departamenti Dr. Genti Kruja dhe pedagogu Dr. Adil Kutlu.
Ditën e mërkurë, më datë 20 dhjetor 2017, Departamenti i Shkencave Islame, Bedër organizoi simpoziumin me temë “Islami në Ballkan”. Si fillim simpoziumin e ka përshëndetur Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, i cili bëri një paraqitje të rolit të Islamit dhe dijetarëve myslimanë shqiptarë ndër shekuj në trojet shqiptare për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Më pas kanë referuar në tre gjuhë shqip, anglisht dhe turqisht, studentë të Departamentit të Shkencave Islame të ardhur nga disa vende të ndryshme, si Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia, të cilët kanë folur për historikun e Islamit ndër shekuj në disa vende të Ballkanit. Studenti Hamza Gürsoy prezantoi në gjuhën angleze “Islamin në Shqipëri”. Më pas edhe studentët e tjerë prezantuan punimet e tyre, ku Engjëll Hoxha foli rreth Islamit në Maqedoni, Enes Malik Yağlı rreth Islamit në Bosnje-Hercegovinë, Hafsa Destani rreth Islamit në Rumani dhe në fund Osman Batur Gökçe rreth Islamit në Kosovë. Larmia e disa gjuhëve në kumtesat e mbajtura, kryesisht nga studentët që vijnë nga jashtë Shqipërisë, i dhanë një qasje të vecantë këtij aktiviteti. Në mbyllje të këtij simpoziumi kanë përshëndetur Dr. Xhemal el-Seferti, si dhe Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame, i cili ka përgëzuar studentët për këtë simpozium të organizuar dhe për përgatitjen e kumtesave shkencore nga ana e tyre. Në këtë aktivitet morën pjesë pedagogë dhe studentë të Shkencave Islame, Bedër.
Vizitë në FSI me rastin e 25 vjetorit të themelimit.