Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze zhvillon seancat orientuese për maturën shtetërore në lëndën e gjuhës Angleze.
Ky program synon tu vijë në ndihmë maturantëve në përgatitjen e tyre për provimin e gjuhës angleze në maturën shtetërore.
Seancat orientuese do të zhvillohen nga pedagogë të institucionit tonë dhe do të ofrohen falas për të gjithë maturantët e interesuar.
Theksojmë se për tu bërë pjesë e trajnimit çdo maturant duhet që paraprakisht të bëjë regjistrimin përkatës.
Seancat e trajnimit do të zhvillohen sipas tabelës së bashkëngjitur në poster. Për çdo informacion të nevojshëm na kontaktoni!
Departamenti i Shkencave të Edukimit në Bedër, zhvillon seancat orientuese për maturën shtetërore në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë.
Ky program synon tu vijë në ndihmë maturantëve në përgatitjen e tyre për provimin e kësaj lënde në maturën shtetërore.
Seancat orientuese do të zhvillohen nga pedagogë të institucionit tonë dhe do të ofrohen falas për të gjithë maturantët e interesuar.
Theksojmë se për tu bërë pjesë e trajnimit çdo maturant duhet që paraprakisht të bëjë regjistrimin përkatës.
Seancat e trajnimit do të zhvillohen sipas tabelës së bashkëngjitur në poster.
Për çdo informacion të nevojshëm na kontaktoni, ju mirëpresim!
Zhvillohet Konferenca e I-rë Studentore në Shkencat Islame,
“Mendimi Islam tek dijetarët shqiptarë”
Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër” ka zhvilluar sot më 6 prill 2017 Konferencën e I-rë Studentore “Mendimi Islam tek dijetarët shqiptarë”.
Aktiviteti fillimisht është hapur me këndim Kur’ani nga studenti Abdullah Ziba dhe më pas është transmetuar dokumentari “Në gjurmët e dijetarëve myslimanë shqiptarë”.
Në seancën e hapjes, moderuar nga lektori z. Hysni Skura fjalën e hapjes e mbajti Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame dhe më pas kanë përshëndetur konferencën Prof. Dr. Ferdinand Gjana, rektor i KU Bedër dhe H. Skender Bruçaj, kryetar i KMSH-së.
Në këtë konferencë ishin gjithashtu të pranishëm dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit në Bedër Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, pedagogë të universitetit, drejtori i Kulturës në KMSH z. Dorian Demetja, drejtori i Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun në KMSH z. Agron Hoxha, Kryevaizi i Shqipërisë z. Lauren Luli, si dhe studentë të Bedrit.
Ky aktivitet i studiuesve të rinj, organizuar nga Departamenti i Shkencave Islame në Bedër, konsistoi në referimin e një sërë tematikash të ndryshme nga vetë studentët rreth mendimit islam tek dijetarët shqiptarë ndër vite.
Dy seancat e referimeve me moderatorë, lektorët z. Veton Tulla dhe z. Hekuran Uzuni kanë vazhduar me kumtesat e nëntë studentëve me tematika dhe analiza interesante rreth librave dhe veprave të dijetarëve myslimanë shqiptarë.
Studentët që referuan dhe temat e tyre ishin si më poshtë:
1. Sefer Vrana – Analizë e veprës “Bolshevizma, a çkatërrimi i njerëzimit” me autor H. Ali Korça
2. Lorela Sula - H. Ismet Dibra në Kolanën “Zani i Naltë”
3. Aorel Senja - Ç’urdhnon Kurani, H. Vehbi Dibra
4. Armir Jangulli – Analizë e veprës “A duhet Feja, a pengon bashkimin kombëtar” me autor H. Ali Kraja
5. Abdullah Bulku - H. Ibrahim Dalliu, Analizë e veprës së pabotuar të H. Ibrahim Dalliut “Nji andërr e imja”
6. Migena Jani - H. Ali Kraja, analizë e veprës së tij
7. Haki Sahitaj - Analizë e veprës “Qytetërimi Islam” me autor Sami Frashërin
8. Uliks Nipolli - Analizë e veprës së Hasan Tahsinit
9. Albi Hoxha - vepra “Rubaijjat” e H. Ali Korçës.
Në mbyllje të konferencës për referuesit u shpërndanë edhe certifikata pjesëmarrjeje, dorëzuar nga stafi i Departamentit të Shkencave Islame.
Gjatë këtij aktiviteti ishte e hapur gjithashtu edhe ekspozita “Në gjurmët e dijetarëve myslimanë shqiptarë”, si dhe një stand me librat e dijetarëve myslimanë shqiptarë, botime të KMSH-së.
Një delegacion nga Kolegji Universitar Bedër dhe KMSH ka zhvilluar ditën e martë me dt. 28 mars 2017 një vizitë në disa institucione të Bashkësisë Islame të Mali të Zi.
Në këtë vizitë merrnin pjesë Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, Drejtori i Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun pranë Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Agron Hoxha, si dhe z. Hysni Skura, asistent lektor dhe z. Sefer Vrana, student në departamentin e Shkencave Islame.
Gjatë kësaj vizite ata kanë zhvilluar disa takime me drejtues të Bashkësisë Islame, si z. Behlul Kanaqi, zv/kryetar i Bashkësisë Islame në Malin e Zi, z. Omer Kajoshaj, drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë, Kryeimamin e Bashkësisë Islame Ulqin z. Ali Bardhi, drejtues të Medresesë “Mehmed Fatih” në Podgoricë (Tuz), znj. Brunilda Brasha Kajoshaj drejtoreshë e Medresesë së vajzave, z. Amer Sukurica, zv/drejtor i Medresesë së djemve, si dhe anëtarë të tjerë të stafit pedagogjik të medresesë dhe stafit të myftinisë Ulqin.
Delegacioni ka vizituar ambientet e Medresesë “Mehmet Fatih” për djem dhe për vajza, Qendrën Kulturore “Horizonti” në Tuz, ndërsa më pas ata kanë vizituar Qendrën Islame të Tivarit dhe kompleksin e saj. Pas këtyre vizitave ata i janë drejtuar Ulqinit, ku kanë zhvilluar një vizitë edhe në myftininë e këtij qyteti me tradita të lashta shqiptare dhe islame. Në pritjen e organizuar nga Kryeimami i Ulqinit z. Ali Bardhi merrnin pjesë edhe z. Agim Dragovoja dhe z. Astrit Nikaj.
Gjatë këtyre takimeve të dy palët u shprehën të gatshëm për bashkëpunime të ndryshme në fushën e zhvillimit dhe përparimit të kulturës islame në trojet tona, si dhe shkëmbimin e eksperiencave ndërinstitucionale.
Interesi i dyanshëm midis institucioneve të dy vendeve, aktivitetet arsimore, edukative dhe kulturore, si programet e studimit në Bedër, ishin disa nga pikat e këtyre takimeve dhe bashkëbisedimeve vëllazërore.