Më datë 14 dhjetor 2017, u zhvillua simpoziumi i pestë ndërfetar në fushën akademike midis përfaqësuesve universitarë të tri shkollave teologjike, të tre komuniteteve fetare në Shqipëri, Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar “Bedër”, Instituti Teologjik Katolik në Seminarin Ndërdioqezian “Zonja e Këshillit të Mirë”, Shkodër dhe Akademia Teologjike Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, Shën Vlash, Durrës, të cilët ishin edhe mikpritësit e simpoziumit të radhës. Delegacionet respektive u pritën fillimisht nga Dekani i Akademisë Teologjike Ortodokse, Hirësi Nikolla, stafi pedagogjik dhe studentë të kësaj akademie. Më pas filloi punimet simpoziumi, i moderuar nga Hirësi Nikolla, ku referuan përfaqësues të tre institucioneve të larta arsimore. Në emër të Departamentit të Shkencave Islame, Bedër referoi rreth kësaj teme PhD. Cand. Hysni Skura, i cili foli rreth “Dashurisë Hyjnore në Islam”. Ndër të tjera ai u shpreh se: “Dashuria Hyjnore përfaqëson dëshirën dhe përkujdesjen e pakufishme të Krijuesit për krijesat e veta. Duke e parë dashurinë edhe si ndjenjë më të fuqishme universale njerëzore, dashuria në Islam shprehet me anë të dhembshurisë dhe mëshirës. Të shumta janë shenjat e dashurisë së Zotit për njeriun, si Krijimi i njeriut si mëkëmbës në tokë, krijimi në formë të përsosur dhe vlerësimi i njeriut mbi krijesat e tjera”. Referatin e tij z. Skura e mbylli me leximin e një lutjeje, ku theksoi edhe njëherë varësinë e njeriut nga Zoti, duke kërkuar prej Tij të mbushë zemrat e njerëzve plot me dashuri për Të dhe për njeri-tjetrin. Referuesi i dytë ishte Dom Lorenzo Rosseti, meshtar dhe pedagog në Seminarin Ndërdioqezian, i cili prezantoi pikëpamjen romano-katolike rreth dashurisë. Ai theksoi se: “Perëndia në Dhiatën e Vjetër, përmes dërgimit të Urdhërimeve shpreh dashurinë e Tij për njeriun, se Ai kërkon sigurinë e tij. Urdhërimet sipas tij na drejtojnë drejt dy boshteve të dashurisë, atij vertikal drejt Dashurisë për Perëndinë dhe padyshim atij horizontal, të dashurisë për të afërmin.” Referati i tretë u mbajt nga z. Dhimitër Qosja, pedagog i Akademisë Teologjike Ortodokse, i cili theksoi se: “Dashuria është shoqëruesja e të gjitha veprimeve të Perëndisë në botë, të shprehura përmes Krijimit, jo nga nevoja, por nga liria, pikërisht dashuria e vërtetë është ajo që vjen nga liria. Zoti është dashuri, i cili e shpalos këtë pa rezervë.” Në përfundim të tre referimeve pati diskutime dhe pyetje ndaj referuesve, ku pedagogë dhe studentë të tre palëve shprehen mendimet dhe komentet e tyre rreth temës së Dashurisë Hyjnore. Në këtë simpozium morën pjesë dhe Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane, Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame, Bedër, z. Dorian Demetja, Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH, të cilët edhe morën fjalën dhe diskutuan gjatë seancës së diskutimeve, si dhe gjithashtu morën pjesë pedagogë dhe studentë të Shkencave Islame, Bedër.
Ditën e enjte më 09.11.2017 studiuesi dhe teologu H. Burhan Fili vizitoi KU Bedër, ku u prit fillimisht nga Rektori Prof. Dr. Ferdinand Gjana dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, si dhe anëtarë të stafit akademik të Departamentit të Shkencave Islame.
Më pas ai ka zhvilluar një bisedë dhe takim me studentë të këtij departamenti, ku z. Fili shprehu eksperiencat e tij lidhur me fushën e Studimeve Islame. Ai shoqërohej gjithashtu nga Drejtori i Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun në KMSH z. Agron Hoxha.
Ditën e hënë më 06.11.2017 një delegacion nga Fakulteti i Studimeve Islame, Prishtinë të shoqëruar nga dekani i këtij fakulteti Dr. Fahrush Rexhepi si dhe pjesëtarë të tjerë të stafit pedagogjik zhvilluan një takim pune pranë KU Bedër. Ata u pritën nga Rektori i KU Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi si dhe anëtarë të tjerë të stafit akademik të Departamentit të Shkencave Islame, ku u zhvillua një takim miqësor duke shkëmbyer ide dhe mendime mbi eksperiencat disavjeçare në institucionet përkatëse. Gjithashtu gjatë këtij takimi zuri vend edhe një bashkëbisedim me studentë të këtij departamenti, ku dekani Dr. Fahrush Rexhepi, shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen si dhe ndau me studentët vlerën dhe rëndësinë e kësaj fushe studimi.
Një pjesë e stafit pedagogjik të Departamentit të Shkencave Islame, Bedër, i kryesuar nga përgjegjësi i këtij departamenti Dr. Genti Kruja, ditën e martë dt. 10.10.2017 ka zhvilluar një vizitë në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Fakultetin e Shkencave Islame, Prishtinë, ku janë pritur nga drejtues të këtyre institucioneve, Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava, sekretari i përgjithshëm H. Resul Rexhepi, dekani i FSI-së Prof. Fahrush Rexhepipi, Drejtori i Kulturës z. Ramadan Shkodra, anëtarë të Kryesisë, etj. Gjatë kësaj vizite të pranishëm ishin edhe lektorët z. Veton Tulla dhe z. Hysni Skura.