TË REJA Organizohet edicioni i tretë i konkursit “Urtësitë e traditës profetike” Përmbyllet me sukses konferenca ndërkombëtare mbi emigrimin dhe diversitetin fetar e kulturor Ceremonia hapëse e konkursit “Wisdom Behind Sunnah” Leksion i hapur: “Çfarë është antropologjia e Islamit? Nga Talal Asad dhe Ahmed Shahab” Lektorë dhe studentë nga “Bedër” morën pjesë në Forumin e 5-të të Dialogut të Politikave Evropiane Lista e kandidatëve fitues – Raundi II (2023 - 2024) Lista e kandidatëve fitues - Raundi I (2023-2024) KALENDARI I AKTIVITETEVE 08PRI Memorandum bashkëpunimi me Oxford Interfaith Forum 04SHK “Ecuria e ekonomisë shqiptare për periudhën 2015-2020” 29JAN A duhet të mësohet patriotizmi në shkollë? 18DHJ “JStor, Çelësi për Kërkimin Akademik” 17DHJ Bedër Alumni Awards 2020 16DHJ “Besimet fetare dhe sfidat e Covid 19” 18SHT Ceremonia e Diplomimit 2020 NJOFTIME PËR STUDENTËT Thirrje për aplikime! Rifillimi i Procesit Mësimor Pushimet e nëntorit Filluan regjistrimet për raundin e parë të aplikimeve Historia e medias dhe transformimet mediatike Procesi i Përgatitjes së Planit Strategjik 2017-2022 Seanca orientuese për maturën shtetërore në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë Home / Lajme / Activities KALENDARI I AKTIVITETEVE 23MAR Seminar “Kur librat flasin” mbi veprën e H. Vehbi Dibrës Departamenti i Shkencave Islame dhe Klubi “Mesazhi i Jetës”, në kuadër të ciklit të seminareve “Kur librat flasin”, ku ftohen studiues, akademikë dhe autorë të ndryshëm për të folur rreth një libri të caktuar, kanë organizuar aktivitetin e radhës ditën e sotme me dt. 23 mars 2017, si një bashkëbisedim rreth librit “Ç’urdhnon Kur’ani” , me autor Haxhi Vehbi Dibrën. Ky libër, botim i KMSH-së vjen si përmbledhje e artikujve, kryesisht pjesëza tefsiri (komenti) të Kur’anit, si dhe shkrime dhe deklarata të ndryshme të kryetarit të parë të KMSH-së, H. Vehbi Dibrës. Ai ishte një prej penave më të shquara të dijetarëve myslimanë shqiptarë dhe këto shkrime janë botuar në vitet ‘20-‘30 të shek. XX në revistën prestigjioze të kohës “Zani i Naltë”. I ftuar për të folur dhe diskutuar rreth kësaj vepre ishte nënkryetari i KMSH-së dhe njëkohësisht pedagog në Bedër, z. Gazmend Aga. Aktiviteti fillimisht u hap nga kryetari i klubit “Mesazhi i Jetës”, studenti Haki Sahitaj, ku falënderoi pedagogët dhe studentët për pjesëmarrjen dhe më pas fjalën e mori Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, i cili i njohu studentët me autorin e këtij libri dhe ciklin e seminareve, që do të vazhdojnë, si një platformë promovimesh dhe njohjesh me studimet e ndryshme të dijetarëve myslimanë shqiptarë, duke i zhvilluar këto aktivitete, si panele bashkëbisedimi dhe diskutimi rreth veprave dhe librave të ndryshëm të prijësve më të shquar të Islamit në Shqipëri. Pas përshëndetjeve, studenti Armir Jangulli foli rreth jetës dhe veprës së Haxhi Vehbi Dibrës, ku spikat veprimtaria e tij e gjerë në shumë fusha shërbimi, që nga myfti i Dibrës, Kryetari i parë i Kuvendit në Vlorë më 1912, firmëtar i pavarësisë, e deri si Myfti i Përgjithshëm e më pas kryetari parë i KMSH-së, dalë nga Kongresi i I-rë Mysliman Shqiptar më 1923. Më pas, nënkryetari i KMSH-së z. Gazmend Aga ka bërë një analizë të hollësishme të librit, duke e vlerësuar H. Vehbi Dibrën dhe mësimet e tij, si një model edhe për ligjëratat e ditëve të sotme. Ai ka vënë theksin gjithashtu mbi nivelin e lartë teologjik dhe intelektual të autorit, i cili i ka pasuruar këto ligjërata me argumente të shumta kur’anore dhe hadithe profetike. Z. Aga ndër të tjera vuri theksin edhe mbi metodologjinë dhe argumentet e shumta që ka përdorur autori. I pranishëm në aktivitet ishte edhe dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ayhan Tekines, stafi akademik i departamentit të Shkencave Islame dhe studentë të këtij departamenti. Ky cikël seminaresh do të vazhdojë edhe gjatë javëve në vijim me të tjerë të ftuar, të cilët do t’i njohin studentët me tituj të shumtë librave të autorëve të ndryshëm. 17MAR Simpozium “Gruaja Myslimane në Shoqërinë Moderne” Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër organizoi simpoziumin me temë: “Gruaja Myslimane në Shoqërinë Moderne”. Ky aktivitet u përshëndet nga z. Gazmend Aga, nënkryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame, si dhe znj. Fatma Karaj, Përgjegjëse e Zyrës së Gruas pranë KMSH-së. Të pranishëm në këtë program ishin rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ayhan Tekines, pedagogë, studentë, si dhe të ftuar të tjerë. Simpoziumi kishte në fokus të shpaloste vendin dhe rolin e gruas myslimane në shoqërinë e ditëve të sotme, duke treguar dhe një herë të drejtat dhe mundësitë, që Islami i njeh femrës. Programi u hap me këndim Kur’ani nga studenti i Shkencave Islame Abdullah Ziba dhe më pas u transmetua dokumentari “Nëna, një heroinë dhembshurie”. Në panelin e moderuar nga studentja e vitit të tretë Enxhi Hasmeta, referuan tre studentë nga Departamenti i Shkencave Islame me temat e tyre specifike mbi rolin dhe vendin e gruas myslimane në ditët tona, siç ishin: Zamira Merja me temë: “Roli dhe te drejtat e gruas ne Islam”, Haki Sahitaj me temë: “Gruaja myslimane shqiptare në shoqërinë moderne” dhe Zerina Kupe me temë: “Roli i nënës ne shoqëri”. Ky simpozium u shoqërua gjithashtu dhe me recitimin e një poezie nga studenti Sefer Vrana dhe interpretimi i një ilahie nga nxënësja Era Domi. Aktiviteti u mbyll me një koktejl të organizuar me këtë rast për të pranishmit që merrnin pjesë. 02MAR Drejtuesit e Kolegjit Universitar Bedër vizitë në Prishtinë Rektori i Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, sëbashku me përfaqësues të tjerë të lartë të institucionit, zhvilluan disa vizita pune në institucione të ndryshme në Prishtinë. Fillimisht delegacioni i Bedër, vizitoi Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, ku janë pritur nga Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava, sekretari i përgjithshëm H. Resul Rexhepi, drejtori i Kulturës z. Ramadan Shkodra dhe drejtori i Medias z. Ahmet Sadriu. Myftiu i ka uruar delegacionit mirëseardhjen, duke shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit në çdo fushë të përbashkët, krahas disa bashkëpunimeve që Bashkësia Islame e Kosovës ka tashmë me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Edhe rektori i institucionit tonë ka shprehur falenderimet për pritjen e ngrohtë dhe gatishmërinë e bashkëpunimit në fusha të përbashkëta, sidomos në unifikimin e teksteve mësimore dhe shkollore të medreseve në të gjitha trojet shqiptare dhe literaturës islame për fakultetet e studimeve në Shkencat Islame në rajon. Vizita e radhës u zhvillua pranë Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, ku përfaqësuesit e institucionit janë pritur nga dekani, Doc. Dr. Fahrush Rexhepi dhe stafi akademik i këtij fakulteti. Ata kanë folur për rëndësinë e bashkëpunimit reciprok në fushën akademike, shkëmbim eksperiencash midis institucioneve arsimore dhe akademike, etj. Medreseja “Alauddin” në Prishtinë, ishte institucioni i fundit që u vizitua nga delegacioni i institucionit tonë, ku janë pritur nga drejtori z. Jakup Çunaku dhe stafi pedagogjik i kësaj shkolle. Gjatë këtyre vizitave në Prishtinë, Rektori i Bedër shoqërohej nga dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit Prof. Dr. Rahim Ombashi, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja dhe Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit Dr. Ramadan Çipuri. 28SHK Zhvillohet konferenca shkencore "25 Vite Drita Islame" Pedagogë të Kolegjit Universitar Bedër referojnë në punimet e konferencës shkencore “25 vite Drita Islame”, konferencë kjo e organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë me rastin e 25 vjetorit të themelimit të kësaj reviste. E zhvilluar në ambientet e “International Hotel Tirana”, konferenca mblodhi sëbashku përfaqësues të komuniteteve të ndryshme fetare nga vendi e rajoni, akademikë, studiues, pedagogë, klerikë të shumtë etj. Veçojmë këtu pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, Kryemyftiu i Kosovës Hafiz Naim Tërnava, Myftiu i Gostivarit Hafiz Shaqir Fetahu, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve Znj. Loreta Aliko etj. Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti, z. Bujar Nishani, vlerësoi kontributin e lartë të kësaj reviste në edukimin fetar e kombëtar të brezave, që nga themelimi i saj e deri në ditët e sotme. “Ka mbi 25 vjet që dielli u shfaq rishtazi mbi mjegullën që ndenji aq gjatë mbi vendin, tokën, njerëzit, shtëpitë, shpirtrat dhe besimet tona. Si toka në dritën e diellit ndriçoi edhe “Drita Islame”, në jetët tona” – tha ai. Më tej, ai e dekoroi revistën me medaljen e arit “Naim Frashëri” duke i’a dorëzuar këtë çmim, Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Skender Bruçaj. Duke përgëzuar të gjithë ata që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut në vazhdimësinë e kësaj reviste, z. Bruçaj, u shpreh i sigurtë dhe entuziast në udhëzimet, standardet e larta të botimeve dhe në misionin për një të ardhme akoma më të ndritur të revistës. “Në këtë përvjetor të themelimit të saj, revista “Drita Islame” vjen me dëshirën për të hyrë në shtëpinë e çdo myslimani, dhe pse jo të çdo shqiptari, që do të mësojë sadopak për myslimanët, jetën dhe vizionin e tyre”- përfundoi ai. Punimet e konferencës vazhduan më tej në sesione të ndryshme, ku vlen për tu theksuar larmishmëria e tematikave të sjella në fokus nga referuesit e shumtë, ndër ta, përmendim: Rektorin e Kolegjit Universitar Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Dekanin e Fakultetit të Filologjisë dhe Edukimit, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave të Komunikimit Dr. Ramadan Çipuri, Dr. Agron Tufa etj. Në fund të punimeve të konferencës, përfaqësues të Komunitetit Mysliman, shpërndanë certifikata mirënjohje për kontribuuesit e revistës ndër vite. 21SHK Seminar Trajnimi në Universitetin e Kajros Anëtarë të stafit akademik në Departamentin e Shkencave Islame pranë Kolegjit Universitar Bedër Hekuran Uzuni dhe Hysni Skura marrin pjesë në programin e trajnimit pedagogjik njëmujor në Kajro për mësuesit e huaj të gjuhës arabe. Në këtë trajnim merrnin pjesë pedagogë nga shumë universitete të botës. Pjesëmarrja në këtë program u bë e mundur me ftesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Egjiptit, i cili u organizua nga Agjencia Egjiptiane në Përparim dhe Zhvillim të gjuhës arabe në Institutin e Studimeve dhe Kërkimeve Edukative në Universitetin e Kajros. Ky program kishte në fokus njohjen e lektorëve të huaj me metodat moderne të mësimdhënies së gjuhës arabe, përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie, metodat që duhet të ndjekim në mënyrë që të përkthejmë pa gabime, si të bëjmë një kërkim shkencor në gjuhën arabe, si dhe prezantim me kulturën e hershme dhe të tashme Egjiptiane. 15SHK Drejtues të Universitetit Bedër takim pune me kreun e KMSH-së Kryetari i KMSH-së H. Skender Bruçaj zhvilloi një takim pune me rektorin e Universitetit Bedër, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, dekanin e Fakultetit të Filologjikut dhe Edukimit Prof. Dr. Rahim Ombashi, përgjegjësin e Departamentit të Shkencave Islame, Dr. Genti Kruja dhe anëtarë të stafit pedagogjik të universitetit. Kryetari i KMSH-së përgëzoi Universitetin Bedër për kontributin e tij në arsim, vlerat shoqërore që ai përcjellë dhe edukimin e brezave të rinj. Gjatë takimit drejtuesit e Universitetit Bedër e informuan kryetarin e KMSH-së lidhur me projektet në planin afatshkurtër dhe afatgjatë, siç janë organizimi i disa konferencave ndërkombëtare, botime të teksteve dhe literaturave të ndryshme në dobi të një mësimdhënie sa më efikase dhe profesionale. Rektori i Universitetit Bedër falënderoi gjithashtu KMSH-në për mbështetjen dhe kontributin e dhënë gjatë gjithë kësaj kohe, sidomos në fushën e arsimit në të gjitha nivelet. 06SHK Universiteti Bedër, “In memoriam, 50 vjet nga ndalimi i fesë” Me ardhjen e sistemit komunist në vendin tonë në vitin 1944, filloi një propagandë e pastër antifetare. Hap pas hapi lufta ndaj klerit fetar u konsolidua në shumë aspekte, derisa arriti kulmin e saj më 6 shkurt të vitit 1967, ku pas fjalimit famëkeq të Enver Hoxhës, Shqipëria u shpall i vetmi vend ateist në botë. Në këtë kontekst, Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër, zhvilloi aktivitetin përkujtimor “In memoriam, 50 vjet nga ndalimi i fesë”. Paneli i referuesve i moderuar nga studenti i Shkencave Islame në Bedër, Sefer Vrana, përbëhej nga: Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, Dr. Genti Kruja, Rektori i Institucionit Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Gazmend Aga, si dhe nga shkrimtari dhe studiuesi Dr. Agron Tufa. Në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i institucionit, pasi falenderoi pjesëmarrësit për prezencën e tyre në aktivitet, u shpreh se përkujtimi i ngjarjeve të tilla është një element i rëndësishëm në edukimin historik të brezave të rinj. “Shpeshherë njeriu i harron vlerat e lirive themelore, që gëzon në shoqëri dhe reflektimi mbi to është detyrë e përbashkët shoqërore”- tha ai. Ndërsa nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Aga, u ndal në sakrificat e prijësve të shquar myslimanë për të trashëguar vlerat e Islamit deri në ditët e sotme. Më tej ndau me të pranishmit fakte të ndryshme nga propaganda, lufta dhe persekutimi komunist antifetar në vendin tonë. “Aktiviteti i sotëm është një mesazh i qartë, se ata që i dolën kundër sistemit komunist ndaj luftës antifetare do të kujtohen vazhdimisht në forma të ndryshme nga brezat që vijnë e ikin, ndërsa ata që bëjnë kompromis me të padrejtën harrohen në rreshtat e hitorisë”, përfundoi ai. Më tej, Dr. Agron Tufa, bëri një rezyme të shkurtër për të pranishmit mbi rolin që kanë luajtur klerikë të ndryshëm në luftën kundër shfarosjes së fesë, duke u ndalur tek dy figura të shquara, siç ishin H. Ali Kraja dhe H. Sherif Langu. Ai foli edhe për edukimin ateist të brezave të rinj gjatë komunizmit, injektimin e propagandës antifetare në të gjithë shtresat e shoqërisë së atëhershme, prishjen e objekteve të kultit, etj. Në fund të fjalës së tij ai tha se: “Organizime të tilla duhet të jenë më të shpeshta, jo vetëm në institucionet e edukimit por edhe më gjerë, pasi krimet e komunizmit kundrejt besimeve fetare përbën shkeljen më të madhe të lirive themelore të njeriut, pasi pa besim, njeriun mund ta klasifikosh lehtësisht si objekt”. Në fjalën e tij, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, Dr. Kruja, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në aktivitet, bëri një prezantim të shkurtër të përmbajtjes filmike të dokumentarit me ngjarjet, propagandën e pastër antifetare, rihapjen e xhamive dhe persekutimin, që ju bë drejtuesve të shumtë myslimanë. “Sot jemi mbledhur në këtë platformë për të kujtuar jo diçka të gëzueshme, por për të kujtuar pikërisht 50 vjetorin e një ngjarjeje të dhimbshme e të turpshme të historiografisë shqiptare, atë të fjalimit famëkeq të 6 shkurit 1967 të Enver Hoxhës. Fjalim, që i hapi rrugën zyrtarisht ndalimit të predikimit të çdo lloj feje në vendin tonë, mbylljes së institucioneve fetare së bashku me aktivitetin e tyre, si dhe prishjen e qindra objekteve të kultit”, tha ai. Më tej, të pranishmit ndoqën për rreth 40 minuta dokumentarin e përgatitur me këtë rast. Dokumentar, i cili tregon qartë metodat e shumta, që vuri në jetë sistemi komunist me qëllimin e vetëm për të çrrënjosur përgjithmonë besimin fetar nga zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, por edhe rihapjen e xhamive të para pas rënies së sistemit në vitin 1990. Aktiviteti mblodhi së bashku drejtues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, institucioneve të ndryshme arsimore, familjarë të hoxhallarëve të persekutuar nga sistemi komunist, intelektualë dhe studiues, si dhe studentë të shumtë. Në hollin e sallës së konferencave është çelur gjithashtu edhe ekspozita “Në gjurmët e dijetarëve dhe prijësve të shquar myslimanë shqiptarë”, ku janë ekspozuar fotografi të rralla të shekullit XIX-XX të personaliteteve të shquara myslimane shqiptare, duke u vizituar kështu nga të pranishmit e këtij aktiviteti, e cila shërben për të promovuar kontributin dhe rolin, që kanë luajtur figura dhe personalitete të shquara shqiptare të kulturës Islame. 01SHK Nis cikli i seminareve “Kur librat flasin” Departamenti i Shkencave Islame dhe Klubi studentor “Mesazhi i Jetës” në Kolegjin Universitar Bedër, kanë nisur ciklin e seminareve të hapura me titull #KurLibratFlasin. Kjo platformë konsiston në një analizë të përjavshme të librave, apo titujve të ndryshëm të pedagogëve, shkrimtarëve dhe akademikëve shqiptarë e të huaj nga personalitete dhe të ftuar të shumtë. Në këtë kontekst, në aktivitetin e ditës së sotme me dt. 1 shkurt 2017, i zhvilluar në bibliotekën e universitetit, si një bashkëbisedim me studentët e Departamentit të Shkencave Islame, është folur rreth botimit më të fundit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë “Ligjërata Islame” të autorit Sheh Qazim Hoxha, i cili vjen si përmbledhje e artikujve të zgjedhur nga ligjëratat e një prej penave më të shquara të dijetarëve myslimanë shqiptarë, botuar në vitet ‘20-‘30 të shek. XX në revistën prestigjioze të kohës “Zani i Naltë”. Takimi është hapur me një përshëndetje nga dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof. Dr. Ajhan Tekinesh, i cili ka vlerësuar këtë aktivitet, si një nxitje për studentët e Shkencave Islame, por jo vetëm, për lexim të autorëve më të shquar shqiptarë të penave islame. Më pas, një fjalë përshëndetëse ka mbajtur edhe Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame Dr. Genti Kruja, i cili i ka njohur studentët me autorin e këtij libri dhe ciklin e seminareve, që do të vazhdojnë si një platformë promovimesh dhe njohjesh me studimet e ndryshme të dijetarëve myslimanë shqiptarë, duke i bërë këto aktivitete si panele bashkëbisedimi dhe diskutimi rreth veprave dhe librave të ndryshëm të prijësve më të shquar të Islamit në Shqipëri. Pas përshëndetjeve, studenti Sefer Vrana ka lexuar jetën e Sheh Qazim Hoxhës, ku spikat veprimtaria e tij e gjerë në shumë fusha shërbimi. I ftuar në këtë panel diskutimi ka qenë Imam Elton Karaj, i cili është edhe autori i parathënies së këtij libri. Ai i ka bërë një analizë librit, duke e vlerësuar si një model edhe për ligjëratat e ditëve të sotme. Ai ka vënë theksin gjithashtu mbi nivelin e lartë teologjik dhe intelektual të autorit, i cili i ka pasuruar këto ligjërata me argumente të shumta kur’anore dhe hadithe profetike. Të pranishëm në aktivitet ishin studentë të shumtë, stafi akademik i departamentit të Shkencave Islame, si dhe nipat e autorit të librit, z. Qashif dhe Hadi Hoxha. Ky cikël seminaresh do të vazhdojë edhe gjatë javëve në vijim me të tjerë të ftuar, të cilët do të njohin studentët me tituj të shumtë librash të autorëve shqiptarë.